25 Prill 2024

Mediat ruse, kineze tentojnë të mbjellin mosbesim te vaksinat perëndimore

Bruksel, 29 Prill - Mediat ruse dhe kineze po përpiqen sistematikisht të mbjellin mosbesim tek vaksinat perëndimore në fushatat e tyre të dezinformimit që synojnë të përçajnë Perëndimin, thuhet në një raport të Bashkimit Evropian publikuar të mërkurën.

Nga dhjetori në prill, mediat shtetërore të të dyja vendeve po përhapin lajme të rreme në internet në shumë gjuhë duke sensacionalizuar shqetësimet për sigurinë e vaksinave, duke bërë lidhje të pabaza midis vaksinave dhe vdekjeve në Evropë dhe duke i nxjerrë vaksinat ruse dhe kineze si më të mira, thuhet në studimin e BE-së.

Kremlini dhe Pekini i kanë mohuar aludimet e BE-së për dezinformim. Bashkimi Evropian nxjerr raporte të rregullta dhe është përpjekur të punojë me kompanitë Google, Facebook, Twitter dhe Microsoft për të kufizuar përhapjen e lajmeve të rreme.

Diplomacia ruse dhe kineze e vaksinave "ndjek logjikën e shumës zero dhe është e kombinuar me dezinformim dhe përpjekje manipulimi për të minuar besimin tek vaksinat e prodhuara nga perëndimi", thotë studimi i BE-së i publikuar nga enti i bllokut që merret me luftën kundër dezinformimit.

"Si Rusia edhe Kina po përdorin media të kontrolluara nga shteti, media të dyta dhe media sociale, duke përfshirë llogari diplomatike zyrtare të mediave sociale, për të arritur këto qëllime," thotë raporti, duke cituar 100 shembuj të veprimeve ruse gjatë këtij viti.

BE-ja dhe NATO-ja rregullisht e akuzojnë Rusinë për veprime klandestine, duke përfshirë dezinformimin, në përpjekje për të destabilizuar Perëndimin duke shfrytëzuar përçarjet në këto shoqëri.

Çështjet e furnizimit me vaksinat AstraZeneca, si dhe efektet anësore shumë të rralla të kësaj vaksine apo asaj Johnson & Johnson janë shfrytëzuar prej tyre, thuhet në raport.

"Kanalet zyrtare kineze dhe mediat pro-Kremlinit kanë ekzagjeruar efektet e ashtuquajtura anësore të vaksinave perëndimore, duke keqinterpretuar dhe sensacionalizuar raportet e mediave ndërkombëtare dhe duke i lidhur vdekjet me vaksinën Pfizer / BioNTech në Norvegji, Spanjë dhe gjetkë," thotë raporti.

Rusia mohon se ndjek një taktikë të tillë dhe Presidenti Vladimir Putin ka akuzuar armiqtë e huaj se kanë në shënjestër Rusinë duke përhapur lajme të rreme rreth koronavirusit.

Vitin e kaluar, Kina u përpoq të bllokonte një raport të BE-së që aludonte se Pekini po përhapte dezinformim rreth shpërthimit të koronavirusit, sipas një studimi të agjencisë Reuters.

Megjithëse BE-ja nuk i ka vaksinuar 450 milion qytetarët e saj aq shpejt sa Britania, e cila nuk është më anëtare e bllokut, imunizimet tani po përshpejtohen, sidomos në SHBA.

Por media ruse raportoi se "Brexiti e shpëtoi Mbretërinë e Bashkuar nga 'kaosi i vaksinave' që përfshiu Bashkimin Evropian", thuhet në raportin e BE-së. "Rrëfime të tilla tregojnë një përpjekje për të mbjellë ndarje brenda BE-së," thuhet aty.

Ndërkohë Kina promovoi vaksinat e saj si një "të mirë publike globale" dhe "duke i paraqitur ato si më të përshtatshme për vendet në zhvillim dhe Ballkanin Perëndimor", zbulon raporti. Vendet e Ballkanit Perëndimor shihen si anëtare të ardhshme të BE-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)