18 Gusht 2022

Largohet nga puna drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi

Prishtinë, 22 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në takim anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, të emëruar në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në emër të Bordit, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, njëherësh edhe Kryesuese e Bordit, e njoftoi kryeministrin Kurti për mbledhjen konstituive të mbajtur dje dhe për vendimet e marra në këtë mbledhje.

Përveç zgjedhjes së Kryesueses dhe Zëvendës kryesuesit të Bordit, me shumicë votash, në këtë mbledhje u vendos që të largohet përkohësisht nga puna drejtori i deritanishëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi. Në vend të tij, ushtruesi i detyrës së Drejtorit, u emërua Bujar Kaçuri.
 
Duke pasur për qëllim të përbashkët ndërtimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, anëtarët e Bordit Drejtues u shprehën se këtij sistemi i paraprijnë hartimi dhe finalizimi i protokolleve klinike, standardizimi i licencimit të profesionistëve shëndetësorë dhe mbi të gjitha finalizimi i sistemit informativ shëndetësor dhe ndërlidhja e tij me të gjitha sistemet tjera relevante.

Ata thanë se situata paradoksale prej vitit 2015 e sigurimeve shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Shëndetësore, ku sigurimet nuk ekzistojnë sepse nuk ka filluar asnjëherë mbledhja e primit të sigurimeve e ndërkaq që Fondi kryen funksionin e trajtimit të rasteve jashtë institucioneve publike shëndetësore, do të korrigjohet së shpejti teksa punohet për sistemin e sigurimeve shëndetësore.

Kryeministri Kurti uroi anëtarët e Bordit për detyrën e tyre të re dhe u dëshiroi suksese në përmbushjen e synimeve të tyre, që njashtu janë edhe të Qeverisë.

Ai tha se Bordi ka mbështetjen e plotë të Qeverisë në realizimin e përgjegjësive dhe qëllimeve të tyre, teksa vendosi theksin te rëndësia e transparencës së këtij institucioni.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 gusht 2022

 - Mbahet seanca në rastin e falsifikimit të tenderit 800 mijë euro për rinovimin e objektit të PSRK-së ndaj të akuzuarit Tahir Sopa, përfaqësues i firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”. (Pallati i Drejtësisë, ora 9:30)

- Komuna e Rahovecit mbant dëgjimi publik për buxhetin e vitit 2023 më bashkësit lokale, lagjet urbane dhe përfaqesues të shkollave. (Shtëpia e Kulturës 'Mensur Zyberaj' në Rahovec, ora 10:00)

- Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mban konferencë për media e cila ndërlidhet me shpalljen e grevës së përgjithshme. (Zyrat e BSPK-së, ora 13:00)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon hapjen e programit Rezidenca 17. (Shtëpia e Hivzi Sulejmanit në lagjen Taslixhe, ora 18:00)