16 Prill 2024

Kryeministri Kurti viziton ShSKUK-në, ofron mbështetjen e tij për këtë institucion

Prishtinë, 10 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mëngjesin e sotëm, vizitoi Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK). I shoqëruar nga ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, ai u prit nga ushtruesja e detyrës së drejtores së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, Kryesuesja e Bordit Drejtues të këtij institucioni, Aida Rexhepi dhe Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija.

Kryeministri Kurti fillimisht përgëzoi stafin e ShSKUK-së për shërbimet që ofron për pacientët anë e mbanë pa asnjë diskriminim. Gjatë takimit u diskutua për punën dhe sfidat e këtij institucioni si dhe nevojën për investimet në infrastrukturë.

ShSKUK ofron shërbime për qytetarë të Republikës anë e mbanë pa diskriminim. Ky institucion në mënyrë të rregullt furnizon me barna 16 mijë e 500 pacientë me sëmundje kronike dhe me tri lloje të insulinave 15 mijë e 231 pacientë me diabet.

Në të njëjtën kohe, përveç në Qendrën Klinike Universitare, kujdeset për mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor nëpër spitalet rajonale.

Ai tha se ShSKUK-ja furnizon me barna nga lista esenciale 70 për qind, me material shpenzues 90 për qind dhe se mbetemi të përkushtuar që ta rrisim edhe rregullin e disiplinën por edhe shërbimin që të shkojmë drejt 100 për qindëshit. “Pra jemi të vendosur të punojmë bashkë edhe mirë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Me këtë vizitë, ai shprehu mbështetjen e tij për ShSKUK-në, për ushtruesen e re të drejtores së ShSKUK-së, Dr. Pranvera Zejnullahu - Raçi, por edhe për Drejtorin e Njësisë së Auditimit, z. Musa Vitija, të cilit dy herë radhazi i është djegur vetura në oborrin e ShSKUK-së.

Duke folur për djegien e veturës së z. Vitija, kryeministri Kurti tha se gjetjet e sakta të auditimit nga drejtori i kësaj Njësie, ku janë evidentuar shkelje, duket që i ka shqetësuar të korruptuarit, të cilët janë fort të brengosur se si do të vijohet më tej me procedimin e këtyre shkeljeve. Kryeministri e përgëzoi z. Vitija për kurajën, që të dalë në punë edhe pas këtyre sulmeve.

Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti shprehu dhe indinjatën e tij për dy kompani, të cilat nuk ishin në nivel të detyrës.

Bëhet fjalë për kompaninë e sigurimit fizik “Security Code” dhe kompaninë  “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e hapësirave të oborrit nëpërmjet kamerave, që në ditën kur u dogj vetura e drejtorit Musa Vitija, nuk ishin në funksion.

Kryeministri Kurti tha se njerëz si Musa Vitija, i cili dy ditë pas djegies së veturës kthehet në punë, i duhen shtetit.

“Këta janë ata zyrtarët, të cilët e shërbejnë qytetarin dhe e mbrojnë republikën”, shtoi kryeministri Kurti, i cili u zotua se do të bëjnë gjithçka që munden e dinë në mënyrë që rastet e tilla jo vetëm të mos përsëriten, por edhe ata kriminelë, të cilët e dogjën veturën në oborr të spitalit, të shkojnë në burg.​

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së drejtores së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi u shpreh se ndjehen të nderuar me vizitën e kryeministrit Kurti dhe e shohin këtë vizitë si shenjë përkrahje për punën e deritanishme dhe mbështetje për ato që mëtojmë t’i bëjnë.

Ajo po ashtu e falënderoi kryeministrin edhe për mbështetjen në raport me rastin që ndodhi të premten e kaluar.

Në lidhje me këtë, ushtruesja e detyrës së drejtores së ShSKUK-së tha se ka kërkuar nga persona kompetent, që kanë në varësi shërbimet teknike, raport të detajuar për të gjitha hallkat e dështimit, si dhe ka kërkuar që brenda javës të merren masa urgjente për sigurinë e objekteve.

Më tej, zonja Zejnullahu-Raçi tha se gjatë takimit që u zhvilluar sot, kryeministri Kurti u njoftua për veprimet dhe përpjekjet që të vendoset rend në klinika dhe të përmirësohen shërbimet shëndetësore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)