01 Dhjetor 2022

Kryeministri Kurti thekson urgjencën e reformave të thella në shëndetësi

Prishtinë, 25 shtator - Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi, i udhëhequr nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti sot mbledhjen e dytë.

Në këtë mbledhje Kryeministri theksoi urgjencën e reformave të thella si dhe veprimeve të menjëhershme në përmirësimin e shërbimeve.

Synimi kryesor përpos dhënies së shërbimeve është mbërritja e standardit më të lartë të mundshëm në kujdesin shëndetësoë për qytetarët e vendit.

Në kuadër të këtij synimi, anëtarët e Komisionit janë dakorduar si në vijim:
 
1. Për të plotësuar nevojat e pacientëve në institucione publike shëndetësore, Kryeministri Kurti, javën që vjen, do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj. Me këtë Udhëzim, do të lehtësohen procedurat e licencimit të profesionistëve të mërgatës, si dhe të atyre të trojeve shqiptare. Në afatshkurtër komplementariteti me profesionistë nga mërgata e rajoni do të plotësojë ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen. Teksa njëkohësisht institucionet punojnë me ritëm të shtuar për trajnimin dhe aftësimin e profesionistëve vendas për të ofruar këto shërbime në të ardhmen.

2. Çdo orë kur mungon një profesionist shëndetësor gjatë orarit të tij të punës është jo vetëm një orë e vjedhur nga shteti, por edhe kërcënim ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve tanë. Andaj, për të siguruar respektimin e orarit të punës nga ana e punonjësve të institucioneve publike, sidomos atyre që janë të punësuar edhe në sektorin privat, Komisioni do të marrë masa për mbikëqyrje të shtuar ndaj të gjithë drejtuesve të njësive në sektorin publik që janë përgjegjës për kontrollin e mbarëvajtjes në punë të vartësve të tyre.

3. Komisioni kërkon në mënyrë urgjente rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit përmes Inspektoratit Shëndetësor dhe Inspektoratit Farmaceutik, në të gjithë sektorin shëndetësor, publik dhe privat, për të parandaluar e ndëshkuar shkeljet e detyrimeve ligjore që rezultojnë në dëmtim të pacientëve në shëndetin, integritetin apo dhe financat e tyre.

4. Brenda dy muajve do të miratohen aktet statutare dhe do të hapet rruga për konkursin i cili do ta bëjë QKUK-në me drejtor.

Duke marrë parasysh rëndësinë e reformave rrënjësore në sistemin shëndetësor, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi do të vijojë aktivitetin dhe takimet sa më shpesh që të ketë nevojë për t'i shtyrë përpara këto reforma.​


Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2022

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, për fushat që janë në fushëveprim të Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

- Ne kuadër të Ditës botërore të luftës kundër sëmundjes së HIV/AIDS, Drejtoria e Shëndetësisë organizon hapjen e Qendrës Mobile për testim me ç’ rast Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë Izet Sadiku do të vizitojnë këtë qendë. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton kërkesat buxhetore të institucioneve që i raportojnë Komisionit, lidhur me Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës organizon një panel diskutimi me temë “Barazia - Dita Botërore e HIV/AIDS” me akterët relevant të kësaj teme. (Salla e amfiteatrit në objektin e Qendrës së Studenteve, ora 12:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston dëshmitare nga ZRRE për periudhën 2013-2017 dhenga KEK për periudhën 2018-2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zhvillon një vizitë në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas. (Objekti i Agjencisë, ora 13:00) 

- Forumi i Gruas i LDK-së mban konferencë për medie. Tema e konferencës është vrasjet e grave dhe nevoja urgjente për reagim institucional e shtetëror. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zhvillon një vizitë në Strehimoren në Prizren. (Strehimorja në Prizren, ora 14:30)

- Kolegji AAB organizon ceremoninë e ndarjes së Çmimit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime, politikanes së njohur gjermane, ish deputete në Parlamentin Evropian, zonjës Doris Pack. (Teatrin AAB “Faruk Begolli”, ora 15:00)

- Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist organizon protestë për të kërkuar që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 16:00)

- Galeria 17 organizon hapjen e ekspozitës "In the making", nga Yll Xhaferi dhe DYVO. (Galeria 17, ora 18:00)

- Mbahet hapja solemne e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Art Without Limit International Film Festival” edicioni i 3 -të. (Kino Armata, ora 19:00)