03 Tetor 2022

Kryeministri Kurti priti në takim Bordin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar

Prishtinë, 9 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, priti në takim Ministrin e Shëndetësisë, z.Rifat Latifi, Zëvendësministren e Shëndetësisë, znj.Dafina Gexha-Bunjaku dhe Bordin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ku diskutuan për vështirësitë e sfidat në sistemin shëndetësor.

Në një takim të gjatë u shqyrtuan këto gjashtë tema kapitale:

1)      Ndarja dhe bashkëpunimi publiko-privat në sektorin e shëndetësisë.

2)      Sistemi Informativ Shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore.

3)      Reforma e sistemit shëndetësor, në veçanti e ShSKUK-së, për fuqizimin e QKUK-së, të spitaleve rajonale dhe kujdesit parësor shëndetësor.

4)      Raporti i sektorit publik të shëndetësisë, si shërbim e kujdes profesional me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit, si vatër e kërkimit, hulumtimit dhe studimit shkencor.

5)      Nevoja për Spitalin rajonal të Prishtinës.

6)      Raporti i MSh-së dhe ShSKUK-së me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve.

Kryeministri shprehu zotimin e tij për mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe për angazhim të shtuar për këtë fushë tejet të rëndësishme për shëndetin, jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)