03 Gusht 2021

Kosova shënon Ditën Botërore të Shëndetësisë

Prishtinë, 7 prill - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh)-Zyra në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe Zyrën e UN-Habitat-it, dhe e mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë shënuar sot 7 Prillin-Ditën Botërore të Shëndetit.

Në kuadër të aktiviteteve disa ditore, të cilat do të organizohen për të promovuar një koncept për jetë sa më të shëndoshë, në ndërtesën e re të KK të Prishtinës është mbajtur debati me temën e Ditës Botërore të Shëndetit: “Shëndeti Urban ka rëndësi”, në të cilin partnerë të ndryshëm kanë shprehur vizionet, të arriturat, por edhe problemet të cilat e sfidojnë sot shëndetin si në nivelin global, ashtu edhe në Kosovë.

Në këtë debat kanë marrë pjesë Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mybera Mustafa, koordinatorja e Zhvillimit e KB, Osnat Lubrani, shefi i Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, Skënder Syla, zëvendëskryetari i KK të Prishtinës, Avdullah Hoti, përfaqësues të UN-Habitatit , si dhe ekspertë të mjedisit e të shëndetësisë dhe qytetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Dr. Mybera Mustafa tha se Dita Botërore e Shëndetësisë është një moment i mirë për të gjithë që të shtohen angazhimet dhe të kujtohet se investimi në shëndetësi, është investim në të ardhmen e njerëzimit.

“Duke e trajtuar shëndetësinë në këtë prizëm, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, mbështet të gjitha ato nisma dhe aktivitete të cilat tërthorazi apo drejtpërdrejt mbështesin përpjekjet për avancimin dhe përparimin e shëndetit...”, tha ajo.

Mustafa tha se shëndetësia ka para vetes ende sfida të mëdha, përfshirë këtu buxhetin e kufizuar dhe jo-proporcional me nevojat që ka sistemi shëndetësor, sistemin joadekuat të referimit të rasteve, mungesën e disa shërbimeve që pritet të hapen, aparaturën që ka nevojë të përsoset edhe më tej, por  jemi të bindur, theksoi ajo,  “se me një angazhim konkret dhe të koordinuar, mund t’ia arrijmë synimet, të cilat janë përcaktuar edhe në Strategjinë Sektoriale Shëndetësore”.

Ministri Mahir Yagcilar tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shquar në mesin e sfidave çështjen e pa rregulluar të ujërave të zeza dhe ka shtruar nevojën që planet urbanistike të marrin parasysh gjatë hartimit të tyre edhe impaktet në shëndetin e popullatës.

Znj. Osnat Lubrani ka vlerësuar faktin që edhe Kosova po u bashkohet përpjekjeve globale për shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit publik.

Dr. Skënder Syla ka prezantuar aspektet globale të ndikimit të hovshëm të shëndetit që janë relevante për shëndetësinë kosovare, derisa eksperti i çështjeve mjedisore, Luan Shllaku, ka bërë një prezantim lidhur me problemet urbane dhe sfidat në këtë fushë.

Dita Botërore e Shëndetit sivjet shënohet me moton: “Shëndeti urban ka rëndësi”, ndërsa aktivitete që promovojnë nevojën për një ambient dhe jetë sa më të shëndoshë ta vazhdojnë edhe ditëve në vijim.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Gusht 2021

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit  të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton nismën legjislative “Projektligji për kriptovaluta”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia inaguruese e Qendrës së parë për Arsim në Distanë. (Rr. "Rexhep Mala" nr. 49, Prishtinë, përballë ICK -së, ora 18:30)