17 Janar 2022

Kosova regjistron dy vdekje dhe 427 raste të reja me koronavirus

Prishtinë, 13 janar - Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka njoftuar se në 24 orët e fundit pas testimit të 5.881 mostrave janë regjistruar 427 raste të reja me koronavirus dhe dy vdekje.

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar edhe se 31 persona janë shëruar derisa 2.811 persona janë ende aktivë në koronavirus.

Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, institucionet e shëndetësisë kanë regjistruar mbi 163.000 raste të infektimit.

Prej tyre 2.994 persona kanë vdekur. Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar.

Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës. Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajve të marrjes së dozës së dytë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 janar 2022

-  Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projekt-Kodin e Procedurës Penale dhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 9:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën më temë “Shpenzimet e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale gjatë mandatit qeverisës 2018-2021”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  do të shënojë Janarin e Përflakur më çrast do të mbahet tribunë e hapur në të cilën do të ketë dy ligjërata "Flakadanët e lirisë" dhe Jusuf Gërvalla - Atdhetari dhe krijuesi. (Amfiteatrin i Universiteti të Gjilanit, ora 11:00)  

- Partia Socialdemokrate do të mbaj konferencë për media lidhur me projektligjin për inspektime të propozuar nga Qeveria e Kosovës. (Zyra e PSD-së, në rrugën Bajram Kelmendi, ora 13:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' mbahet akademie e Flakës 2022. (Teatri i qytetit të Gjilanit, ora 17:00)

 

- Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, shkëlqesia e Tij, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, organizon Akademinë Përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Prishtinë, ora 17:00)

- Hapet ekspozita kolektive e artit pamor. (Galeria e qytetit të Gjilanit, ora 19:00)