27 Janar 2023

Kosova ditëve të fundit është duke shënuar rritje e rasteve me Omicron

Fushë Kosovë, 5 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, vizituan qendrën e vaksinimit në Fushë Kosovë, prej nga bënë thirrje për vaksinim dhe respektim të masave anti-COVID, si armë të vetme dhe të dëshmuara kundër virusit Corona.

Së bashku me këshilltarin e kryeministrit për shëndetësi, Jusuf Ulaj, ata u pritën nga drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, Osman Magjera.

Pas konfirmimit të pranisë së variantit Omicron në territorin e Kosovës, ditëve të fundit është shënuar rritje e rasteve të reja edhe në vendin tonë, si në gjithë botën.

Kryeministri dhe Ministri i Shëndetësisë ritheksuan se Qeveria është në krye të detyrës dhe bashkë me autoritetet shëndetësore, është duke monitoruar vazhdimisht situatën epidemiologjike, në konsultim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ata thanë se çdo veprim, e çdo hap që do të ndërmerr Qeveria, do të jetë i bazuar në të dhënat shkencore më të fundit lidhur me variantin Omicron.

Në takim u theksua se nuk duhet kurrsesi të çlirohemi. Përvoja e vendeve të tjera tregon se rritja e rasteve, si dhe rritja e numrit të pacientëve të shtrirë në spital, mund të jetë e shpejtë dhe e pamëshirshme.

Përballë valës së variantit Omicron, u theksuan dy objektiva kryesore: që rritja e rasteve të mos jetë kaq e shpejtë sa që të mbingarkohet sistemi ynë shëndetësor, i cili është ende i brishtë dhe që të parandalojmë, po aq sa kemi mundësi, përhapjen e virusit, si dhe sëmundjen e rëndë dhe humbjen e jetës që mund të shkaktohet prej tij. Suksesi i arritjes së këtyre objektivave varet jo vetëm nga Qeveria, por nga të gjithë, u tha në takim.

Kryeministri Kurti dhe Ministri Latifi, veçuan dy drejtimet kryesore për bashkëpunim.

Së pari, duke u vaksinuar. Vaksinimi është i shpejtë i lehtë dhe falas, dhe nuk ka nevojë për termin.

Për qytetarët e pavaksinuar, u bë thirrje për të marrë dy dozat e para pa vonesë.

Ndërsa për qytetarët që i kanë marrë dy dozat e para, u bë thirrje që të merret doza përforcuese posa të kalojnë 3 muaj nga marrja e dozës së dytë.

Së dyti, u theksua rëndësia e respektimit në përpikëri të masave anti-COVID. U theksua se sa më shumë që të respektohen masat në fuqi, aq më lehtë do ta kalojmë valën e re të infektimeve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)