27 Maj 2022

I ftohti i zakonshëm mund të na mbrojë nga koronavirusi

Washington, 25 janar -  Gjatë stinës së dimrit çdo i rritur preket nga i virusi i të ftohtit, zakonisht një ose dy herë në vit.

Ai shfaqet përgjithësisht me simptoma të lehta, por sipas disa studime të reja prekja nga i ftohti i zakonshëm, mund të ofrojë mbrojtje ndaj një virusi shumë më të rrezikshëm, siç është koronavirusi.

Shkencëtarët kanë patur gjithnjë pikëpyetje se përse disa njerëz janë në gjendje t'i rezistojnë infektimit nga koronavirusi megjithë ekspozimin ndaj tij për periudha të zgjatura.

Për këtë arsye, shkencëtarët në Kolegjin Imperial të Londrës vendosën të testojnë një teori: se një tip qelizash të bardha të quajtura qelizat T, të cilat i prodhon trupi për të luftuar të ftohtin e zakonshëm, mund të ofrojnë një nivel mbrojtjeje.

"Infektimet e mëparshme me koronaviruset e të ftohtit normal, pra këta janë kushërinj të largët të SARS-CoV-2 që shkakton COVID-in, mund të gjenerojnë qeliza T që do të ishin në gjendje të identifikojnë dhe të sulmojnë virusin SARS-CoV-2. Kjo është teoria që filluam të testojmë", thotë Ajit Lalvani, profesor në Kolegjin Imperial të Londrës.

Studimi filloi në shtator 2020, përpara se të fillonin programet e vaksinimit masiv, dhe përpara se shumica e njerëzve të ishin infektuar nga COVID-i.

Shkencëtarët testuan gjakun e 52 personave që jetonin në të njëjtën shtëpi me një person të infektuar nga virusi SARS-CoV-2 që shkakton COVID-in. Gjysma e tyre u infektuan me COVID, por gjysma jo.

"Ata që kishin paraprakisht qeliza T të gjeneruara nga virusi i të ftohtit të zakonshëm, të cilat mund të diktonin dhe të sulmonin SARS-CoV-2, nuk u infektuan", thotë zoti Lalvani.

Vaksinat e tanishme janë projektuar për të krijuar një përgjigje imunitare ndaj proteinave në gjembat e strukturës së jashtme të koronavirusit, të cilat mundësojnë mutacionet dhe shmangien e sistemit imunitar.

"Ndërsa qelizat mbrojtëse T që ne zbuluam orientohen kundër proteinave në bërthamën e virusit, proteinave të brendshme. Dhe këto proteina ndryshojnë shumë pak. Pra, gjetjet tona ofrojnë mundësinë për prodhimin e një vaksine universale që gjeneron qelizat T për të mbrojtur njerëzit kundër varianteve të tanishme dhe të ardhshme të COVID-it", thotë zoti Lalvani.

Ky është një lajm ngazëllyes, por prodhimi i një vaksine të tillë është ende larg.

Ndërkohë, autorët e studimit theksojnë se askush nuk duhet t'i mbajë shpresat se infektimi nga i ftohti i zakonshëm do t'i ofrojë imunitet ndaj COVID-it dhe thonë se vaksinimi është mbrojtja më e mirë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 maj 2022

- Fillon punimet konferenca “Qasjet Aktuale në Diagnostikimin dhe Menaxhimin e Pacientëve me Sklerozë Multiple, Dita Botërore e Sklerozës Multiple 2022”. (Four Points by Sheraton, Marigona Residencë, ora 9:00)

- Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Zeinah Salahi, do të flasë në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Kolegji AAB organizon hapjen zyrtare të edicionit të parë të Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2022. (Kolegji AAB, ora 10:00)

- Në kuadër të projektit “Evropa Juglindore - Së Bashku Kundër Korrupsionit” mbahet konferenca për media, në të cilën do të prezantohet raporti me titull “Nevoja për institucionalizimin e vlerësimit anti-korrupsion në Kosovë”, në të cilin raport trajtohet ndryshimi e shpeshtë i ligjeve anti-korrupsion dhe nevoja që ndryshimeve të ligjeve tu paraprijë vlerësimi periodik i legjislacionit dhe masave anti-korrupsion. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Oficerë të lartë nga Kroacia dhe Shqipëria që ishin pjesë e UÇK-së bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz. (Prekaz, ora 10:00)

-  Zyrtari për Sektorin Privat në USAID, Mathju Kulinajn, bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do të mbajnë fjalë rasti në ceremoninë përmbyllëse të Programit të USAID-it Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt. (Hoteli Emerald, ora 10:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe te vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Sadedin Hajda dhe Mexhit Mustafa. (Hamoc, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  N303, ora 11:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe të vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Feim Gashi, Sakip Bellaqa, Përparim Thaqi në fshatin Fortesë. (Fortesë, ora 12:00)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion organizon konferencë për media si pjesë e Javës Kundër Varfërisë Menstruale dhe Stigmatizimit të menstruacioneve. (Para Bibliotekës Kombëtare, ora 12:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi. (Në rrugën Fortesë-Celinë, ora 13:0)

- Ministrja e  Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të takohet me një delegacion nga Shqipëria, të kryesuar nga ministrja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, me rastin e organizimit të konferencës “Turizmi i përbashkët Kosovë - Shqipëri”. (Hotel Prishtina, ora 14:00)

- Mbahet konferenca për media e përzgjedhësit Alain Giresse në kuadër të grumbullimit për katër ndeshjet e muajit qershor në UEFA Nations League. (Hotel Emerald, ora 14:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit në fshatin Brestoc. (Brestoc, ora 14:00)

- Kombëtarja e Kosovës i fillon stërvitjet dhe do t’i mbajë dy seanca në Kampin Nacional në Hajvali. (Stërvitja e parë mbahet, ora 10:30 derisa stërvitja e dytë, ora 17:30)