19 Mars 2024

Delta ka ndryshuar luftën ndaj koronavirusit

Washington, 31 korrik - Lufta kundër COVID-19 “ka ndryshuar" për shkak të variantit shumë ngjitës Delta, thanë Qendrat amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), duke propozuar një mesazh më të qartë, vaksina të detyrueshme për punonjësit e shëndetit dhe një rikthim tek mbajtja e maskave.

Një dokument i brendshëm i CDC-së tha se varianti, i zbuluar së pari në Indi dhe tani dominues në të gjithë globin, është po aq ngjitës sa lija e dhenve dhe shumë më ngjitës sesa ftohja ose gripi i zakonshëm.

Ai mund të transmetohet edhe nga njerëzit e vaksinuar dhe mund të shkaktojë sëmundje më serioze sesa llojet e mëparshme të koronavirusit.

Në dokument, i titulluar "Përmirësimi i komunikimit rreth përparimit të vaksinave dhe efektivitetit të tyre", thuhet se varianti kërkon një qasje të re për të ndihmuar publikun të kuptojë rrezikun - përfshirë sqarimin se njerëzit e pavaksinuar kishin mbi 10 herë më shumë gjasa se ata që janë të vaksinuar që të sëmuren rëndë ose të vdesin.

"Duhet pranuar se lufta ka ndryshuar," thuhej në dokument. "Duhen përmirësuar komunikimet mbi rrezikun mes të vaksinuarve."

Një listë e masave parandaluese të rekomanduara përfshin bërjen e vaksinave të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor për të mbrojtur më të dobëtit dhe një rikthim tek përdorimi universal i maskave.

CDC-ja konfirmoi vërtetësinë e dokumentit, për të cilin u njoftua fillimisht nga Washington Post.

Megjithëse personat e vaksinuar kanë më pak të ngjarë të infektohen, kur ata preken nga Delta - ndryshe nga variantet e mëparshme - mund të kenë po aq gjasa sa edhe të pavaksinuarit për ta transmetuar sëmundjen te të tjerët.

"Ngarkesat e larta virale sugjerojnë një rrezik në rritje të transmetimit dhe ngrenë shqetësimin se, ndryshe nga variantet e tjera, personat e vaksinuar të infektuar me Delta mund ta transmetojnë virusin," tha në një deklaratë drejtorja e CDC-së, Rochelle Walensky.

Të premten CDC-së bëri publike përfundimet e një studimi mbi një përhapje të virusit në Masaçusets, ku tre të katërtat e të infektuarve ishin plotësisht të vaksinuar. Ky studim ka luajtur një rol kryesor në një vendim të CDC-së këtë javë për të rekomanduar përsëri që njerëzit e vaksinuar të mbajnë maska në disa situata, tha dr. Walensky.

Në pjesët e botës ku një numër i madh njerëzish ende nuk janë vaksinuar, varianti Delta ka çuar edhe një herë në rritjen e niveleve të vdekjeve dhe shtrimeve në spital.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se sistemet shëndetësore në shumë vende tani po mbingarkohen:

"Përparimet e siguruara me vështirësi janë në rrezik ose po zbehen," tha ai në një konferencë shtypi.

Eksperti kryesor i urgjencës i OBSH-së Mike Ryan tha në një konferencë për shtyp se megjithatë vaksinat vazhdojnë të mbeten efektive në parandalimin e rasteve serioze dhe vdekjeve: "Po luftojmë të njëjtin virus, por një virus që përshtatet më lehtësisht”.

Edhe në vendet e pasura që ishin ndër të parat që filluan fushata të mëdha vaksinimi, rastet janë shtuar. Ndërsa vaksinat deri tani i kanë mbajtur përqindjet e vdekjeve më të ulëta, popullsitë e mëdha mbeten të prekshme, veçanërisht ata që refuzojnë vaksinat, një problem që është veçanërisht i pranishëm në pjesët e Shteteve të Bashkuara ku votuesit mbështetën ish -Presidentin Donald Trump.

Gati një e treta e të rriturve amerikanë nuk kanë marrë ende dozën e parë. Zonat ku normat e vaksinimit janë të ulëta kanë parë rritje të mprehtë të rasteve javët e fundit dhe autoritetet kanë frikë se shtrimet në spital dhe vdekjet do të rriten.

Specialisti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive, Dr Anthony Fauci, i tha agjencisë Reuters se ai priste që vaksinat, të cilat deri tani kanë marrë vetëm miratimin për përdorim urgjent, mund të fillojnë të marrin miratimin e plotë rregullator në gusht dhe se kjo mund të ndihmojë që më shumë amerikanë të binden për të marrë vaksinën.

Në Britani, ku varianti Delta shkaktoi një rritje të mprehtë të infeksioneve muajt e fundit pavarësisht nga një prej fushatave më të shpejta të vaksinimit në botë, një komision që këshilloi qeverinë tha se imuniteti nga vaksinat ka të ngjarë të zbehet me kalimin e kohës, që do të thotë se fushatat e vaksinimit ndoshta do të zgjasin për vite me radhë.

Të martën, CDC, e cila i kishte udhëzuar amerikanët e vaksinuar muaj më parë se nuk kishin më nevojë të mbanin maska, ndryshoi kurs, duke thënë se edhe të vaksinuarit plotësisht duhet të mbajnë maska në situata kur virusi ka të ngjarë të përhapet.

Të enjten, Presidenti amerikan Joe Biden u bëri thirrje qeverive lokale që të paguajnë njerëzit që të vaksinohen dhe vendosi rregulla të reja që kërkojnë nga punonjësit federalë të ofrojnë prova vaksinimi ose të përballen me testime të rregullta, mbajtjen e maskës dhe kufizime udhëtimi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)