28 Mars 2024

Auditori gjen keqpërdorime në shëndetësi

Prishtinë, 13 korrik - Zyra e Auditorit Gjeneral ka kryer auditimin e pasqyrave financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2009.

Auditimi ka hetuar disa dobësi dhe sugjeron që ndërmerren masa në mënyrë që të rritte efikasiteti i organizatës.

Aty ceket se në raportin e vitit 2008 ishin dhënë 18 rekomandime, por prej tyre vetëm tri janë implementuar tërësisht, dy pjesërisht, ndërsa të tjerat nuk janë adresuar fare.

Kështu vërejtjet kryesore kanë të bëjnë me komisionet për pranime teknike, vonesat në realizimin e kontratave, ruajtja e dobët e branave në depo, dështimi në furnizim me barna.

Buxheti i Ministrisë për 2009 ishte mbi 80 milion euro, kurse shpenzimet ishin 75.5 milionë euro, apo 94% të buxhetit. “Ne kemi vërejtur tendencën e rritjes së shpenzimeve në fund të vitit financiar, kështu që vetëm në tremujorin e fundit ato arrijnë në 43 % nga shpenzimet e përgjithshme”. Megjithatë, raporti cek se ministria ishte ndër subjektet më të suksesshme në menaxhimin e buxhetit.


Auditori gjen pasaktësi si në rastin e avancave për udhëtime zyrtare në vlerë 86 mijë euro, ndërsa tek para e imët ato ishin 2510 euro. Po ashtu, ceket se regjistri i pasurisë nuk është i plotë dhe i saktë.

Më tej auditori gjen diferenca të mëdha në mes pasqyrave në MSH dhe Thesarit për shpenzimet e realizuara. Kështu burimet e të hyrave janë regjistruar në shumë 2 milionë e 660 mijë euro, kurse në Thesar figurojnë 2 milionë e 761 mijë euro, me një diferencë pra prej 101 mijë euro. Po kaq ishte edhe diferenca e pagesave të bartura nga viti paraprak.

Sa i përket të hyrave, MSH kishte planifikuar 4 milion euro të hyra, kurse janë realizuar vetëm 3 milionë euro, duke përfshirë edhe të hyrat e bartura nga viti paraprak.

Auditori gjen se inkasimi i të hyrave nga participimi në QKUK nuk ishte bërë përmes llogarisë bankare. Te rekrutimi i stafit është vërejtur se në pesë raste nuk figuron numri i kontratës dhe pozita e përshkruar në kontratë. 


Te mallrat dhe shërbimet, auditori gjen se në kontratën për furnizim me produkte të hemodializës, Granudial AF10, në vlerë 532 mijë euro, produktet e pranuara në dy raste nuk ishin në përputhshmëri me specifikat e kërkuara. “Produktet e pranuara nga komisioni ishin Granudial AF12”. Më tej auditori cek se pranimi i produkteve medicinale nuk është bërë nga personat kompetentë si në rastin e furnizimit me barna në vlerë 881 mijë euro si dhe është vërejtur tejkalim në shpenzimet e telefonit.

Te investimet kapitale, te lënda renovimi i kulmit të Institutit të Onkologjisë në vlerë 37 mijë euro është vërejtur se është përzgjedhur operatori ekonomik fitues pa pasur tri oferta të përgjegjshme. Auditori po ashtu ka vërejtur se ka pasur vonesa në realizmin e projekteve si te kontrata për renovimin e ndërtesës së kardiokirurgjisë në vlerë 633 mijë euro, te kontrata për adaptimin e hapësirave për vendosjen e pajisjeve në repartin e radiologjisë në vlerë 182 mijë euro si dhe të kontrata për ndërtimin e ambulancave në Mazgit, Rashanë, Vasilevë, në vlerë 116 mijë euro.

Gjatë auditimit të kontratës renovimi i klinikës së kardiokirurgjisë, komisioni i vlerësimit e ka korrigjuar shumën e totalit të ofertës nga 434 mijë euro në 633 mijë euro, pra me një dallim prej 200 mijë euro. “Kjo shumë e përshtatur është shumë afër dy konkurrentëve tjerë”, thuhet në raport. Auditori vëren po ashtu se zyrtari certifikues në MSH kishte certifikuar 26 lëndë në vlerë 4.9 milionë euro për kategorinë mallra e shërbime, edhe pse nuk e kishte pasur nënshkrimin e deponuar në Thesar për certifikimin e pagesave.


Keqmenaxhimi në QKU

Te Qendra Klinike Universitare, auditori gjen në një rast ndërrimin destinacionit të mjeteve pa pëlqim paraprak, gjegjësisht investimi i 9 mijë eurove në repartin e Oftalmologjisë, të cilat kishin tepruar nga projekti i shtrimit të dyshemesë në një repart të ORL-së.

Auditori ka gjetur se në tri raste për investime kapitale janë nënshkruar kontratat para zotimit të fondeve si: kontrata për furnizim me pajisje medicinale në vlerë 266 mijë euro, kontrata për klimatizim dhe ventilim të sallave të operacionit në vlerë 1.2 milion euro dhe kontrata për furnizim me pajisje dhe material për rrjetin e avullit dhe nënstacioneve të ujit të ngrohtë sanitar në QKU në vlerë 1.8 milion euro. 


Te tenderi për rikonstruimin e klinikës së neurologjisë, pozicioni për punët e dyshemesë në vlerë mbi 20 mijë euro është vërejtur se ka pasur devijime në specifikacionin teknik të kontratës.


Gjetjet në AKMP

Sa i përket Agjencionit për Produkte Medicinale auditori cek AKPM nuk ka ofruar dokumentacion për pagesat në vlerë 90 mijë euro, gjegjësisht pagesat për renovimin e kulmit në vlerë 73 mijë euro, pagesat e naftës dhe pagesat për projektin “Ribona Konsultë”.

Auditori vëren dobësi edhe në menaxhimin e pasurisë. Kështu disa prej automjeteve të MSH-së nuk janë paraqitur në pasqyrat financiare, në depon në Mazgit ende ndodhen barna edhe pse është kërkuar që të largohen nga aty, ndërsa produktet e hemodializës në QKU janë të vendosura në korridoret e Gjinekologjisë. Po ashtu, ceket se objekti i Onkologjisë nuk është futur në funksion as në 2009.

Sa i përket auditimit të brendshëm thuhet se kjo njësi nuk ka fokusuar aktivitet e saj në fushat me rrezik të lartë siç është prokurimi dhe ekzekutimi i kontratave me vlera të mëdha.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)