20 Prill 2024

AstraZeneca ose Pfizer BioNTech zvogëlon infeksionet e coronavirusit

Londër, 24 prill - Një dozë e vaksinës AstraZeneca ose Pfizer BioNTech zvogëlon infeksionet e coronavirusit me gati dy të tretat dhe mbron njerëzit e moshuar dhe më të prekshëm po aq sa individët e rinj dhe të shëndetshëm, ka zbuluar një studim.

Sipas The Guardian, rezultatet nga Universiteti i Oksfordit dhe Zyra për Statistikat Kombëtare janë një nxitje e mirëpritur për programin e vaksinimit dhe e para që tregon ndikimin në infeksionet e reja dhe përgjigjet imune në një grup të madh të të rriturve në popullatën e përgjithshme.

Siç thuhet në shkrimin e mediumit britanik, duke ulur nivelet e infeksionit, vaksinat jo vetëm që do të parandalojnë shtrimet në spital dhe vdekjet, por ndihmojnë në “këputjen” e zinxhirëve të transmetimit dhe kështu zvogëlojnë rrezikun e një rigjallërimi të dëmshëm të sëmundjes ndërsa disa vende si Mbretëria e Bashkuar hapen përsëri.

Në shkrim bëhet e ditur se studiuesit analizuan rezultatet e testit për Covid-19 nga më shumë se 350,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar midis dhjetorit dhe prillit. Ata zbuluan se 21 ditë pas një doze të parë – koha që i duhet sistemit imunitar për të marrë një përgjigje të mirë – infeksionet e reja me Covid-19 ranë me 65%. Vaksinat ishin më efektive kundër infeksioneve simptomatike sesa asimptomatike, duke ulur nivelet përkatësisht me 72% dhe 57%, krahasuar me ato që shihen në popullatën e pavaksinuar.

Një dozë e dytë e vaksinës Pfizer rriti mbrojtjen më tej, duke bërë që infeksionet simptomatike të bien me 90% dhe infeksionet asimptomatike me 70%. Sidoqoftë. për shkak se vaksina e Oksfordit u miratua dhe u përdor më vonë, është shumë herët për të vlerësuar ndikimin e atyre dozave të dyta. Shkencëtarët në ekip kanë thënë se gjetjet mbështesnin vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’i dhënë përparësi dhënies së dozave të para njerëzve të moshuar dhe më të prekshëm duke vonuar dozat e dyta.

“Nuk kishte asnjë provë që vaksinat ishin më pak efektive në mesin e të rriturve të moshuar ose atyre me kushte shëndetësore afatgjata”, citohet të ketë thënë Dr. Koen Pouwels, një studiues në ekip. Ndërkohë bëhet e ditur se puna e mëtejshme nga ekipi, analizoi përgjigjet e antitrupave ndaj vaksinave.

Antitrupat u ngritën më shpejt dhe në një nivel më të lartë me një dozë të vaksinës Pfizer, por pastaj ranë përsëri, veçanërisht tek njerëzit e moshuar, në një nivel të ngjashëm të arritur me shkallën e Oxfordit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)