18 Prill 2024

Arritja e vaksinave ngjallë shpresë të madhe për fillimin e shpëtimit të jetëve

Prishtinë, 28 mars - Është ky një kontingjent i vogël por që ngjallë shpresë të madhe për fillimin e shpëtimit të jetëve në vendin tonë, sidomos të personelit tonë shëndetësor dhe grupeve në rrezik, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fjalimin gjatë ceremonisë së pranimit të kontingjentit të parë prej 24,000 dozash të vaksinës AstraZeneca - Oxford COVID-19, të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kontingjenti i vaksinave që arriti në Kosovë në ora 19:50, është siguruar nga organizata UNICEF nëpërmjet mekanizmit COVAX.

Kryeministri Kurti falënderoi aleancën GAVI COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë për të siguruar një proces sa më të drejtë e të barabartë të vaksinimit kundër Covid-19 në mbarë botën.

“Vendi ynë është i vogël dhe i varfër, andaj edhe ka nevojë për mbështetje dhe solidaritet nga të gjithë, e sidomos nga miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët edhe janë donatorët kryesor të aleancës GAVI COVAX”, tha Kryeministri Kurti.

Ai theksoi se tani është koha që të veprojmë dhe se vaksinimi duhet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë.

“Ajo që unë mund të them është se qeveria që ju keni zgjedhur është në krye të detyrës, po punon ditë dhe natë dhe po bën të pamundurën që të sigurojmë sa më shumë vaksina”, tha Kryeministri Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në fjalimin e tij, theksoi se arritja e vaksinave të para në Republikën e Kosovës shënon fillimin e një fazë të re në luftën kundër virusit COVID-19. Ministri Vitia bëri të ditur se vaksinimi fillon këtë javë me prioritet personelin shëndetësor.

“Personeli shëndetësor kanë qenë dhe janë vija e parë e frontit ndaj virusit COVID-19. Duke qenë jashtëzakonisht falënderues për secilin që tash e një vit është duke luftuar me orë të tejzgjatuna të punës larg nga të dashurit e tyre në shërbim të shëndetit publik”, tha ministri Vitia.

Ai theksoi se në ditët, javët, muajt në vijim ajo që na ndihmon të dalim sa më shpejtë nga gjendja e krijuar me COVID-19 është respektimi rigoroz i masave.

Ushtruesi i Detyrës së Shefit të Zyrës se BE-së në Kosovë, Riccardo Serri tha se një vit pasi filloi pandemia e që ende po vazhdon me rritje të shifrave të të infektuarve dhe të vdekjeve  sot është dita që shënon ose mund të shënojë fillimin e fundit të COVID-19 në Kosovë.

“Të dhënat empirike të vendeve më të avancuara tregojnë se vaksinat janë efektive kundër COVID-19. Një fushatë e mirë mund të kontribuojë që të zgjidhet problemi”, tha Serri.

Në emër te shteteve të Quintit, foli ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të mbrojnë veten dhe njerëzit përreth duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit.  

Përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara e Ekipit për Kosovë, znj. Ulrika Richardson tha se arritja e vaksinës sjellë shpresë, por kjo nuk do të thotë se pandemia ka marrë fund. Ajo falënderoi dhe përgëzoi të gjithë ata që kontribuan që ky kontingjent vaksinash të arrijë sot në Kosovë.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)