27 Janar 2023

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë organizon në Zurich ngjarjen bamirëse “Shpëto Jetë”

Zurich, 20 prill - Duke e parë nevojën e madhe për t’iu dalë në ndihmë nënave dhe fëmijëve në Kosovë, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, do të organizojë edicionin e 4-të të mbrëmjes bamirëse "Shpëto Jetë", në Zurich.

Meqenëse, dy vitet e fundit ne i kemi anuluar të gjitha ngjarjet tona për ngritje të fondeve në vend e diasporë në mënyrë që të mos e rrezikojmë shëndetin e askujt, nevoja për mbështetje financiare për fondacionin tonë është e domosdoshme dhe më e rëndësishme se asnjëherë më parë.

Mbrëmja bamirëse “Shpëto Jetë” do të mbahet me datë 05 Maj duke filluar nga ora 19:00, në Restaurant Aubrey Schiffbaustrass 10, 8005 Zurich, ku do të shoqëroheni nën tingujt e trios së mirënjohur “Don't listen to your neighbors”.

Kjo ngjarje ka për qëllim ngritjen e fondeve për t’i mbuluar nevojat esenciale në spitalet tona me pajisje mjekësore dhe medikamente të cilat shpëtojnë jetët e nënave dhe fëmijëve.

Përveç dhurimit të donacioneve, mbrëmja përfshin: darkë, muzikë live, rrjetëzim me komunitetin shqiptar, dhe ankand të qetë me punime nga artistët e Kosovës.
 
Pjesëmarrja juaj do të jetë një kontribut i jashtëzakonshëm në mbështetjen e misionit tonë drejt përmirësimit të shëndetit të Nënave dhe Fëmijëve në Kosovë.

Thirrja për mbështetje dhe sponzorë është ende e hapur dhe kompanitë apo individët të cilët dëshirojnë të bëhen sponzorë dhe pjesëmarrës të ngjarjes bamirëse "Shpëto Jetë" mund të kontaktojnë në email adresën: [email protected] për të pranuar pakot tona të sponzorizimit të ngjarjes.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)