26 Prill 2024

Vetëvendosje kopje e partive të tjera

Prishtinë, 28 qershor - Analistët politikë kanë vlerësuar se Kuvendi i Parë Zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje! nuk ka qenë fare demokratik. Ata kanë deklaruar se ky kuvend ka qenë i kurdisur dhe jotransparent.


Behxhet Shala dhe Milazim Krasniqi kanë thënë se me këtë proces zgjedhor Vetëvendosje! ka treguar se nuk dallon asgjë nga subjektet e tjera politike në Kosovë. “I vetmi dallim i Vetëvendosje!-s prej partive të tjera, është se i ka kryer punët para Kuvendit. Pra, janë votuar kryetari, nënkryetarët dhe anëtarët e Kryesisë. Vetëvendosje! në këtë kuvend zgjedhor ka shkuar me emra të gatshëm. Kjo është e kundërta e demokracisë. Mendoj se Vetëvendosje! nuk dallon asgjë prej subjekteve të tjera politike”, ka thënë Shala për “Epokën e re”.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje!, e cila e ka për synim bashkimin kombëtar, këtë herë e ka shkelur premtimin se do ta organizojë një kuvend demokratik. “Unë mendoj se Lëvizja Vetëvendosje! nuk iu ka qëndruar besnike fjalëve dhe premtimeve që ka dhënë, sepse mënyra se si e organizoi Kuvendin nuk ka qenë fare demokratike, ka qenë një kuvend më tepër i kurdisur, ku janë ditur gjërat përpara se kush çka do të bëhet.

Për këtë arsye ky kuvend nuk mund të cilësohet demokratik”, ka treguar ai, duke shtuar se Vetëvendosje! e ka pasur shansin ideal që, duke e demonstruar demokracinë e brendshme, të distancohet nga partitë e tjera në vend. “Edhe ky kuvend ka treguar se në Kosovë të gjithë janë të njëjtë kur është në pyetje marrja e pozicioneve. Vetëvendosje! e ka pasur mundësinë ta demonstrojë demokracinë e brendshme, por edhe kjo ka rënë në provim. Tash kjo lëvizje nuk ka asnjë dallim prej subjekteve të tjera politike”, ka deklaruar Shala.


Mendim të ngjashëm për procesin e parë zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje! ka edhe analisti tjetër politik, Milazim Krasniqi.
Krasniqi ka deklaruar për gazetën se në këtë kuvend, sikurse edhe në kuvendet apo kongreset e partive të tjera, gjithçka ka qenë në shërbim të liderit.

“Vetë fakti se lideri është zgjedhur pa kundërkandidat, këtë proces zgjedhor e bën të ngjashëm me atë të partive të tjera. Pra, nuk ka pasur asgjë tjetër. Edhe dekori ka qenë i njëjtë me partitë e tjera, në funksion të liderit, në funksion të prezantimit të një platforme të gatshme dhe jo të një debati prej të cilit do të dilte një platformë. Realisht është brenda skemës të cilën e kemi parë edhe në rastet e partive të tjera”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se ky proces zgjedhor i Vetëvendosje!-s ka qenë i denigruar.


Sipas tij, kjo lëvizje edhe parimin “një anëtar një votë”, që e kishte nisur mirë, nuk e ka përfunduar. “Parimi një anëtar një votë është i drejtë, i cili duhet të aplikohet në të gjitha partitë politike, të cilat pretendojnë se janë demokratike. Vetëvendosja e kishte filluar mirë një parim të tillë, por nuk e çoi deri në fund”, është shprehur ai.

Në këtë kontekst, analisti Krasniqi ka vlerësuar se shumë shpejt procesi i parë zgjedhor i Vetëvendosje!-s do t’i prodhojë efektet e tij. Sipas tij, ky kuvend do ta prodhojë rënien e dinamikës së kësaj lëvizje dhe një proces të ndryshimit të identitetit të saj të deritashëm. “Vetë protesta e para pak ditëve, që ishte për herë të parë paqësore, është në lidhje me një proces të ndërtimit të identitetit, përkatësisht të përshtatjes me faktin se është një lëvizje që participon në Kuvend dhe që ka ambicie për ta marrë pushtetin”, është shprehur ai.

Në ndërtimin e një identiteti të ri për këtë lëvizje, sipas Krasniqit, do të ndikojnë edhe përforcimet e FER-it. “Në këtë aspekt edhe elementet e reja të FER-it brenda kësaj lëvizje sigurisht se do të kenë ndikim në mënyrën që të shndërrohet në një subjekt më të butë. Në këtë aspekt ajo do të largohet nga identiteti i saj fillestar si lëvizje revolucionare”, ka thënë ai.


Lëvizja Vetëvendosje! Kuvendin e Parë Zgjedhor e ka mbajtur të shtunën e kaluar, ku e ka zgjedhur liderin dhe organet e saj drejtuese.(Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)