11 Gusht 2022

UNDP lanson përmbledhjen e 22-të të Pulsit Publik

Prishtinë, 5 korrik - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë do të lansoj edicionin e 22-të të Përmbledhjes Pulsi Publik sot me një ngjarje që do të mbahet në sallën e konferencave të UNDP-së.

Gjetjet e anketës së opinionit të Pulsit Publik të muajit prill tregojnë ndryshime të lehta në kënaqësinë e njerëzve me performancën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në Kosovë në krahasim me sondazhin e mëparshëm të kryer në tetor-nëntor 2021.

Tri çështjet kryesore të raportuara në këtë anketë ishin papunësia (36.4%), varfëria (21.1%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (7.7%), përderisa tri problemet kryesore në vjeshtën e vitit 2021 ishin papunësia, varfëria dhe mjedisi.

Përmbledhja Pulsi Publik publikohet dy herë në vit, duke ofruar një pasqyrë të dhjetë indikatorëve kyç të nxjerrë nga anketat përkatëse të opinionit, me të anketuar mbi 18 vjeç në Kosovë.

Përmbledhja Pulsi Publik 22 bazohet në një anketë të opinionit të kryer nga 6 deri më 24 prill 2022, me 1,306 të anketuar nga të gjitha komunitetet etnike në Kosovë.

Mostra ka përfshirë të njëjtin numër të burrave dhe grave nga të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës, duke përfshirë zonat urbane dhe rurale.

Sa i përket përfaqësimit etnik, mostra përfshinte 896 shqiptarë të Kosovës, 210 serbë të Kosovës dhe 200 pjesëtarë të komuniteteve të tjera të Kosovës (ashkali, boshnjakë, egjiptianë, goranë, romë dhe turq të Kosovës).

Anketa u krye në bazë të mostrimit me probabilitet rastësor në etapa të shumëfishta përmes intervistave sy më sy.

Projekti Pulsi Publik financohet bujarisht nga populli amerikan përmes USAID.

 
 


 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 gusht 2022

- Handikos organizon ceremoninë e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion nga Izraeli, ku do të marrin pjesë ambasadorja e Izraelit, znj. Tammy Ziv, ministrja e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë,  znj. Donika Gërvalla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. (Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara Adresa: Veternik, ora 10:00)

- Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës mban konferencë për media. (Selia qendrore e Vetëvendosjes, ora 11:00)

- Në qytetin e Vushtrrisë organizohet Akademia Verore "Arbën Xhaferi‘’ edicioni i II-të. (Kalaja e Vjetër të Vushtrrisë, ora 17:00)