24 Prill 2024

Thaçi: Nga 25 korriku Kosova ndryshe, bllokohet kontrabanda

Prishtinë, 29 korrik - Situata në veriun e Kosovës ka qenë çështja kryesore e mbledhjes së sotme të Qeverisë së  Republikës së Kosovës, e cila është drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi.

Për herë të parë pas 12 vjetësh sipas kryeministri Thaçi është arritur që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me mbështetje të NATO-s të bllokohet komplet kontrabanda.

Tani kontrabanda në këto pikat kufitari 1 dhe 31 sipas tij është ndërprerë, është bllokuar 100 për qind ku as edhe një makinë nuk mund të hyjë pa kontroll të plotë dhe pa respektim të plotë të legjislacionit të Republikës së Kosovës, rregullave dhe normave të policisë kufitare të Republikës së Kosovës dhe doganierëve të Republikës së Kosovës.

"E kemi ndërprerë, ndalur qindpërqind kontrabandën në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës, edhe në vijën përgjatë kufirit me Serbinë, por ky efekt i ndërprerjes së kontrabandës tejkalon efektin komercial. Tani mund të them lirisht se të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës ruhen dhe mbrohen prej misioneve të rendit të ligjit të Kosovës dhe misionit të NATO-s."  

Ai njoftoi se me angazhimet e përbashkëta, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendimin për aplikimin e masave të reciprocitetit për mallra që janë importuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ky vendim sipas tij është respektuar në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës, me përjashtim të pikave 1 dhe 31 në veri të vendit, ku nga njerëzit e instaluar aty kanë refuzuar që të zbatojnë vendimin për ndalimin e mallrave nga Serbia.

"Kjo gjendje e krijuar e joligjshmërisë në këto 12 vjetët e fundit ka qenë e patolerueshme për Qeverinnë e Republikës së Kosovës, prandaj si rrjedhojë Policia e Kosovës është autorizuar që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vendosjen e ligjit dhe zbatimin për reciprocitet në të gjitha pikat kufitare në Republikën e Kosovës, në kuadër të kësaj edhe të pikës 1 dhe 31", theksoi kryeministri Thaçi.

Policia e Kosovës ka filluar operacionin dhe pas përfundimit me sukses Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë tërhequr dhe tani Policia kufitare, doganierët janë vendosur në pikën 31, një kohë edhe në pikën 1.

Zhvillimet dramatike që ndodhën, njerëzit e organizuar, të motivuar dhe të nxitur nga zyrtarë të lartë të Serbisë sipas kryeministrit kanë sulmuar fillimisht pikën 1 dhe kanë djegur apo janë toleruar për ta djegur, dhe më pas kanë sulmuar edhe pikën 31.

Në Pikën 31 KFOR-i, Policia e Kosovës dhe doganierët e Kosovës kanë qëndruar dhe janë ballafaquar me njerëzit e dhunës, me ata të cilët kanë pretenduar që përsëri të thyejnë rendin dhe rregullin, janë ballafaquar me njerëzit e armatosur, të nxitur direkt nga Beogradi.  

Qeveria e Republikës së Kosovës edhe njëherë për këto zhvillime të dhunshme e bën përgjegjës direkt politikën zyrtare të Beogradit dhe zyrtarët e saj të futur ilegalisht në Republikën e Kosovës.

Aktualisht pika 1 është e djegur dhe dëmtuar në masë të madhe. Është në kontroll të plotë të NATO-s dhe është e mbyllur për qarkullimin e mallrave, ndërsa lëvizin vetëm makinat e vogla dhe qytetarët. Është një kontroll i rreptë në hyrje-dalje nga Kosova, një kontroll i rreptë të makinave për armatim dhe çështje tjera.  

Ndërsa, pika 31 është e mbrojtur nga forcat e KFOR-it, dhe është funksionale, aty është Policia e Kosovës dhe doganierët e Kosovës.

Edhe në këtë pikë është duke funksionuar në përpikëri vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitet. Tani ministrive përkatëse ju është  rekomanduar që të marrin veprimet e menjëhershme, për të filluar riparimin e  dëmtimeve në pikën 1.

Në pikën kufitare 31 Policia kufitare e Kosovës së bashku me doganierët janë duke e kryer punën në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Po ashtu, e falënderoj KFOR-in për një bashkëpunim shumë të ngushtë.  Për herë të parë pas 12 vjetësh ne kemi arritur që të ndalojmë kontrabandën 100 për qind në pikën kufitare 1 dhe 31.

"E ritheksoj për herë të parë pas 12 vjetësh kemi arritur që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me mbështetje të NATO-s të bllokojmë komplet kontrabandën", pohoi kryeministri Thaçi.

Ai ka përsërit edhe njëherë se qeveria nuk do të bëj as edhe një hap prapa dhe nuk do të zbrapset.

Kjo sipas tij është faza e parë e implementimit të vendimit për vënien e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

"Do të vazhdojmë me hapjen e rrugëve, dhe luftimin e të gjithë atyre paramilitarëve, kontrabandistëve që brenda territorit të Kosovës duk qëndruar ilegalisht dhe do të jemi të pakompromis me mundësitë, kapacitetet e shtetit të Republikës së Kosovës", theksoi ai.

Tani masat e reciprocitetit me Serbinë janë instaluar, dhe e theksoj edhe njëherë se ato zbatohen në të gjitha pikat kufitare me Serbinë, dhe kjo do të zgjasë derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj në raport me shtetin e Kosovës.

"Nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është hapur kapitulli i ri i sovranitetit të plotë në Republikën e Kosovës dhe askush me këta zyrtarë ilegalë të Serbisë, qofshin diplomatë apo zyrtarë tjerë ndërkombëtarë nuk kanë të drejtë të ulen dhe të diskutojnë në emër të Kosovës" - theksoi kryeministri.

Për Kosovën dhe çështje të brendshme të rregullimit të Kosovës mandatin e kanë vetëm përfaqësuesit e Kosovës për kontakte e biseda me zyrtarët e shteteve fqinje.

"Ne vlerësojmë, se qëndruarit e zyrtarëve serbë në Kosovë është një qëndrim ilegal, inspirim dhe mbajnë përgjegjësi direkte për vrasjen e policit të njësisë speciale, për nxitjen e dhunës, për përkrahjen e plotë të djegies se pikës kufitare 1 dhe për përkrahje të plotë të militarëve dhe paramilitarëve në atë pjesë të Republikës së Kosovës, që qëndrojnë në forma të ndryshme ilegale dhe gjysmëilegale."

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)