19 Prill 2024

Thaçi kërkoi mbështetje nga Belgjika në procesin e integrimit

Prishtinë, 19 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim sot me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Stiven Vanakere nga i cili ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve, mbështeten e Belgjikës për Kosovën në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe bashkëpunimi rajonal.

Kryeministri Thaçi gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e Belgjikës, Vanakere theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lartë angazhimin e qeverisë dhe popullit belg në mbështetjen e Kosovës në procese historike të vështira nëpër të cilën ka kaluar vendi dhe populli ynë.

Mbi frymën e vullnetit të ndërsjellë me vlera të përbashkëta, kryeministri Thaçi ka shprehur interesin e Republikës së Kosovës për të pasur marrëdhënie më aktive dhe më të ngushta me Mbretërinë e Belgjikës në të gjitha fushat me interes reciprok.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, kryeministri Thaçi ka siguruar zëvendëskryeministrin belg, se përkushtimi i institucioneve kosovare është për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, si mundësi e pazëvendësueshme e vendeve të rajonit për të përmbushur standardet perëndimore në të gjitha fushat.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka kërkuar zëvendëskryeministrit belg, Stiven Vanakere forcimin e mbështetjes së Belgjikës në proceset e integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ndërsa, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, kryeministri Thaçi ka theksuar gjithë përkushtimin e institucioneve kosovare për të përmbushur të gjitha kriteret që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Në këtë kuadër, kryeministri i Republikës së Kosovës ka kërkuar mbështetjen e Belgjikës që sa më shpejtë të përmbyllet ky proces.

Në takim, kryeministri Thaçi ka ripotencuar ftesën për investitorët belgë për të investuar në Kosovë. Kosova i mirëpret investimet  e huaja, sidomos kur bëhet fjalë  për  potencialin e fuqishëm ekonomik që ka Belgjika, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi në takim me zëvendëskryeministrin e Belgjikës, ka ofruar bashkëpunimin e Republikës së Kosovës edhe në fushën e arsimit, promovimit të turizmit dhe ofrimin e kushteve të favorshme për investime Belge në Kosovë.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri i Belgjikës, Stiven Vanakere i ka shprehur kryeministrit Thaçi falënderimet dhe mirënjohjen e tij për pritjen dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Belgjikës dhe ka shtuar që qeveria e tij do të vazhdojë të mbështesë procesin e reformave të gjithanshme në Kosovë, në funksion të përmbushjes së standardeve të integrimit dhe zhvillimit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)