28 Mars 2024

Thaçi: Ata që nuk e respektojnë realitetin, s'kanë perspektivë

Prishtinë, 10 gusht - Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhje e saj të rregullt. Në mbledhje është miratuar Projektligji për Policinë e Kosovës, Projektligji për shitjen e Banesave, për të cilat ekziston e drejta banesore, si dhe Projektligji për Fshatin Hoqë e Madhe.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar me zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit. Kryeministri Thaçi ka theksuar se KFOR-i ka konfirmuar se barrikadat në rrugët që shpien për në pikat kufitare në veri të Kosovës, kanë filluar të hiqen.

Kryeministri Thaçi ka ritheksuar se të gjithë ata që nuk e njohin dhe nuk e respektojnë realitetin e krijuar në Kosovë, nuk kanë perspektivë dhe se rendi dhe ligji do të sundojë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Të gjitha vendet e rajonit kanë objektiv integrimin në Bashkimin Evropian dhe për ta arritur këtë ato duhet të respektojnë integritetin territorial të vendeve fqinje. Këtë kusht duhet ta plotësojnë edhe Kosova edhe Serbia”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar informatën për procesin e zbatimit të masave të reciprocitetit me Serbinë. Informatat rreth këtij procesi, ka thënë ministrja Kusari-Lila, janë pozitive dhe ka shtuar se po shënohet rritje e konsumit të mallrave vendore, që do të gjenerojë edhe rritje te kapaciteteve prodhuese dhe vendeve të reja të punës.

Në mbledhje është aprovuar Projektligji për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, sipas të cilit do të ju mundësohet që shfrytëzuesit e banesave që nuk e kanë të rregulluar pronësinë e banesës gjatë viteve ’90, ta bëjnë këtë me kushte të njëjta.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Policinë dhe Projektligjin për fshatin Hoçë e Madhe, që është projektligji i fundit që del nga Dokumenti i presidentit Ahtisari dhe që ka të bëjë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Është miratuar edhe Plani i Zhvillimit Strategjik 2011-2013 për Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit, si dhe është plotësuar dhe ndryshuar Strategjia Legjislative për vitin 2011.

Qeveria ka emëruar Valdet Gjinovcin, kryeshef ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)