16 Prill 2024

Tahiri: Serbia ka ngecur në të kaluarën

Bruksel, 11 mars - Negociatorja e Kosovës në bisedimet e sapofilluara për pajtim mes Kosovës dhe Serbisë e ka përshkruar homologun e saj serb si të ‘respektueshëm’ por të ngecur në pikëpamje të një bote të dalë mode.

“Ne nuk kemi vërejtur shumë ndryshime në pozicionin e qeverisë serbe në raport me realitetin e ri në Kosovë dhe në Ballkan. Duket sikur ata kanë ardhur me pikëpamjet e mëhershme, kur në të vërtetë gjendja ka ndryshuar,” tha zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri për EU observer në Bruksel të mërkurën (9 mars) pas përfundimit të takimit të parë të këtij formati të bisedimeve.

\"Kosova është njohur si shtet nga 75 vende të ndryshme, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka pranuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë. Kosova është anëtare e Bankës Botërore, FMN-së, ky është realiteti i ri.”

Ajo e përshkroi homologun e saj serb, Borko Stefanovic, zyrtar i lartë në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, si të ‘respektueshëm’ dhe tha se fakti pse takimi është mbajtur është sukses në vete duke pasur në konsideratë ‘historinë tragjike’ të luftës.

Znj. Tahiri kujtoi se zgjedhja e fjalorit ishte herë pas here problematike. Bogdanovic përdorte shprehje që nënkuptonin se Kosova është provincë e Serbisë përderisa ajo përdorte gjuhën e shtetësisë.

“Ju nuk mund të ngulni këmbë në abstraksione kur flisni për çështje konkrete në terren. Të dy palët duhet të bëjnë përpjekje në zgjedhjen e fjalëve të duhura ... por nëse njëra palë ka ngelur në të kaluarën dhe tjetra flet për realitetin, afrimi është i vështirë,” thotë ajo.

Në dhomë nuk kishte kurrfarë simbolesh e as flamuj kosovar apo serb për të shmangur kritikat për detaje.

Takimi u kryesua nga zyrtari i BE-së dhe eksperti për Ballkanin, Robert Cooper. BE-ja po ashtu ka ftuar në takim ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Tom Countryman.

Znj. Tahiri tha se të dy burrat luajtën një rol aktiv dhe ndihmonin me ide për zgjidhjen e problemeve, por mbanin qëndrime neutrale ndonëse BE-ja dhe SHBA-të janë arkitektët kryesorë të pavarësisë së Kosovës.

“Atmosfera ishte jashtëzakonisht e mirë, miqësore, por edhe e sinqertë,” tha z. Cooper në një deklaratë zyrtare.

Bisedimet dyditore vazhduan për tri orë më shumë sesa që pritej dhe prekën çështje konkrete si mënyra se si serbët etnikë në Kosovë të mund të shfrytëzojnë shërbimet serbe të telefonisë mobile; se si Kosova mund t’i kthejë certifikatat e lindjes dhe të regjistrat kadastralë të mbajtura në Serbi; nëse Serbia do të lejojë fluturimet për në Kosovë të kalojnë mbi hapësirën e saj; dhe nëse zyrtarët e KB duhet të vazhdojnë patjetër të flasin në emër të Kosovës në klubin rajonal tregtar, Cefta.

Znj. Tahiri dhe z. Stefanovic pritet të takohen prapë në Bruksel para përfundimit të muajit dhe nga dy herë në muaj deri në vitin e ardhshëm. 

BE shpreson se zgjidhja e disa problemeve të vogla do të përmirësojë marrëdhëniet mes kosovarëve dhe serbëve të rëndomtë, do të krijojë një klimë më të mirë për Serbinë që një ditë të njohë Kosovën si shtet dhe që të dy vendet të anëtarësohen në BE.

Çështjet e mëdha për më vonë

Një diplomat serb i tha këtij uebsajti se çështjet madhore – si ajo e mënyrës së qeverisjes së rajonit me shumicë serbe të Mitrovicës në Kosovën veriore ose rajonit me shumicë shqiptare në Preshevë, në Serbinë jugore – nuk janë pjesë e dialogut të ri.

EUobserver kërkoi një intervistë zyrtare me palën serbe por përfaqësuesit e Beogradit nuk pranuan.

Duke folur më gjerësisht, znj. Tahiri tërhoqi vërejtjen se tkurrja e kufijve të Kosovës ose dhënia e statusit të gjysmë autonomisë për Mitrovicën do të ishte e ‘rrezikshme’.

“Këto ide prekin kufijtë. Ballkani është shumë kompleks nëse prek një pjesë të kufijve, ajo do të shkaktojë efektin domino,” shpjegoi ajo. “Nëse bëni ndryshime të tilla, në Serbi, do të jetë Sanxhaku (një rajon i përbashkët mes Serbisë dhe Malit të Zi), shqiptarët e Luginës së Preshevës, shqiptarët në Maqedoni dhe serbët në Republika Srpska po ashtu do kërkojnë ndryshime.”

E pyetur nëse ka dëmtuar pozicionin e saj negociues një raport i kohëve të fundit nga Këshilli i Evropës, i cili e akuzon shefin e saj, Kryeministrin Hashim Thaçi, të ketë udhëhequr një mafi që ka trafikuar organe në të nëntëdhjetat, znj. Tahiri tha: “Nëse dikush ka imazh të dëmtuar në këto bisedime...është e vërtetë se gjatë 10 vjetëve të fundit të krizës, Serbia ishte ajo që ka ushtruar shtypje me ushtrinë e saj dhe dhunë deri në nivel të gjenocidit.\"

Ajo më tej shtoi: “Ai nuk ka ndikuar në bisedime. Por nëse flasim për imazhin e shtetit (të Kosovës), ne nuk mund ta mohojmë se ka prekur imazhin e shtetit.”

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)