18 Gusht 2022

Stoltenberg e siguroi Kryeministrin Kurti për ruajtjen e paqes në Kosovë

Prishtinë, 2 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se qytetarët e Kosovës janë informuar mirë për masat në ardhje, se masat janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe që zbatimi i tyre është koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.

Nën masën e re të kalimit kufitar në vendkalimet kufitare të Kosovës, më 1 gusht, deri në ora 18:00 kishin kaluar 2521 qytetarë me dokumente identifikimi nga Serbia.

Për këtë procedurë të re kanë pritur mesatarisht vetëm 20 sekonda, pasi gjithçka është digjitalizuar nga institucionet e Kosovës. E njëjta procedurë në vendkalimet serbe zgjatë nga 10 minuta deri mbi një orë.

Kryeministri Kurti e informoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje.

Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin.

Stoltenberg e siguroi Kryeministrin Kurti për angazhimin dhe bashkëpunimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

​
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 gusht 2022

 - Mbahet seanca në rastin e falsifikimit të tenderit 800 mijë euro për rinovimin e objektit të PSRK-së ndaj të akuzuarit Tahir Sopa, përfaqësues i firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”. (Pallati i Drejtësisë, ora 9:30)

- Komuna e Rahovecit mbant dëgjimi publik për buxhetin e vitit 2023 më bashkësit lokale, lagjet urbane dhe përfaqesues të shkollave. (Shtëpia e Kulturës 'Mensur Zyberaj' në Rahovec, ora 10:00)

- Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mban konferencë për media e cila ndërlidhet me shpalljen e grevës së përgjithshme. (Zyrat e BSPK-së, ora 13:00)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon hapjen e programit Rezidenca 17. (Shtëpia e Hivzi Sulejmanit në lagjen Taslixhe, ora 18:00)