28 Mars 2024

Steinbah: Statusi dhe integriteti i Kosovës nuk diskutohen

Prishtinë, 25 shkurt - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter-Steinbah, i cili i përcolli Pacolli urimet e tij dhe të shtetit gjerman për zgjedhjen në postin e presidentit të vendit.

Ambasadori Steinbah tha se Gjermania e ka përkrahur në vazhdimësi Republikën e Kosovës, në të gjitha periudhat dhe do të vazhdojë ta përkrahë edhe në vazhdim.

Ai u fokusua në ndihmën që ka dhënë Gjermania në planin e lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës, për anëtarësimin në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe theksoi se Gjermania do të vazhdojë aktivitetin e saj për të siguruar njohje të reja për Kosovën, si dhe për integrimin e saj sa më të shpejtë në institucionet ndërkombëtare.

Ai gjithashtu theksoi se Kosova dhe Gjermania kanë shumë fusha në të cilat do ta shtrijnë bashkëpunimin e tyre, ndërsa bashkëpunimi në planin ekonomik është një nga më të rëndësishmit, krahas bashkëpunimit dhe përkrahjes që Gjermania do t’i ofrojë Kosovës në fushat e tjera me interes.

Duke u ndërlidhur tek dialogu i paralajmëruar mes Prishtinës e Beogradit, ambasadori Steinbah theksoi edhe një herë qëndrimin se statusi i Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk do të jenë tema që do të diskutohen, duke përkujtuar se këtë deklaratë e ka bërë edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Westerwelle, gjatë një vizite më herët në Kosovë.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli e ka vlerësuar lart angazhimin e ambasadorit Steinbah dhe bashkëpunimin e tij me institucionet e Republikës së Kosovës.

Ai gjithashtu çmoi lart përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën, duke shtuar se kjo përkrahje ka qenë dhe është me një interes të veçantë për institucionet dhe popullin e Kosovës, i cili ka çka të mësojë shumë nga eksperienca gjermane.

Presidenti Pacolli vlerësoi angazhimin e Gjermanisë për ndihmë në lobimin për njohje të reja të Republikës së Kosovës, si dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Njëkohësisht, ai tha se Kosova dhe Gjermania kanë hapësira të mëdha bashkëpunimi, në të gjitha fushat, bashkëpunim ky që duhet të shkojë gjithnjë e më shumë kah intensifikimi dhe zgjerimi i tij.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)