18 Prill 2024

Sot vazhdon raundi i dytë i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

Bruksel, 28 mars - Sot në Bruksel vazhdon dialogu mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë ku në rend dite janë energjia elektrike dhe kthimi i dokumentacionit kosovar nga Serbia në Kosovë.

Në takimin e dytë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të zgjatë një ditë dhe sërish do të mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të të ngarkuarës së BE-së për politikë të Jashtme, Robert Cooper, do të trajtohen disa çështje: furnizimi me energji elektrike, librat e regjistrimit civil, kadastrat dhe doganat.

Udhëheqësja e delegacionit kosovar Edita Tahiri pohon se pala kosovare do të kërkojë të hapet edhe çështja e targave të automjeteve.

Serbia nuk i pranon vulat e shtetit të Kosovës dhe për këtë shkak ekziston një asimetri shumë e madhe në raportet tregtare mes këtyre dy vendeve.

Probleme të mëdha ka dhe me çështjet tjera. Udhëheqësi i delegacionit serb, Borislav Stefanoviq tha se Serbia nuk do t'ia dorëzojë Kosovës librat origjinale të regjistrimit civil, me shpjegimin se kështu do të hiqte dorë nga sovraniteti serb mbi Kosovën.

Ai theksoi se pala serbe me Prishtinën nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje që ka elemente shtetësie, pasi që kështu do të njihte pavarësinë e Kosovës.

"Ekipi negociator serb nuk po shkon në Bruksel për t'i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës", theksoi Stefanoviq duke shtuar se për zgjidhjen e problemeve konkrete nuk ka afate të caktuara kohore, siç ka kërkuar pala kosovare.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, Stefanoviq deklaroi për mediat serbe se qëllimi i marrëveshjes është që t'i bëhet e mundshme “Elektro-ekonomisë së Serbisë të funksionojë në territorin e Kosovës”.

Ai është i bindur se në një fazë të mëvonshme do të hapet edhe çështja e veriut të Kosovës.

Edita Tahiri pohon se BE-ja ka kërkuar që dialogu teknik të jetë konstruktiv dhe të arrihen rezultate konkrete dhe se do të shikojë me vëmendje se kush nuk po u përmbahet këtyre kërksave.

Prishtina shpreson që Kosova do të përfitojë nga ky dialog, jo vetëm sa i përket zgjidhjes së çështjeve konkrete, por edhe liberalizimit të vizave dhe mundësisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe BE.

Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, pret që Kosova të përfitojë në disa lëmi. "Dialogu nuk duhet t'i shërbejë Kosovës vetëm për zgjidhjen e çështjeve teknike dhe noramlizimin e raporteve me Serbinë, por duhet të ndihmojë edhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian", pohon Hoxhaj.

Opozita thotë se bisedimet janë në favor të Serbisë dhe Kosova nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre në këtë periudhë kur Beogradi refuzon të njoh pavarësinë e Kosovës dhe kontrollon një pjesë të territorit të saj me strukturat paralele.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e sheh ndryshe rezultatin e këtyre bisedimeve. “Dua të besoj fuqishëm se ky dialog do të përmbyllet me njohjet reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse ky është edhe një kriter tjetër demokratik për t’u integruar dy vendet tona në NATO dhe në Bashkimin Evropian”.

Ai është i bindur se këto bisedime do të ndihmojnë edhe tejkalimin e konfliktit shqiptaro serb. “Pajtimi shqiptaro serb do të ndodhë. Do të përmbyllet njëherë e përgjithmonë kapitulli i konfliktit njëshekullor mes shqiptarëve dhe serbëve. Ky kapitull do të përmbyllet vetëm me integrimin e plotë të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në NATO dhe në Bashkim Evropian. Pra, kur të fitojnë vlerat euro-atlantike edhe në rajoni tonë”.

Vëzhguesit e pavarur thonë se hyrja në bisedime me Serbinë pa hedhur kuadrin e këtyre bisedimeve nuk do t’i sjell përparim Kosovës e cila në vjeshtën e këtij viti nuk do të ketë përparim në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, sipas tyre, në vjeshtën e këtij viti, Beogradi mund të jetë i legjitimuar si palë pa të cilën nuk mund të lëvizë asgjë në Kosovë dhe për më tepër Beogradi mund të legjitimohet si një vend më afër Bashkimit Evropian. Autoritetet ndërkaq e shohin edhe Kosovën më afër proceseve integruese në fund të këtyre bisedimeve.

Në anën tjetër, pala serbe pret që deri në fund të vitit të hapet rruga për fillimin e negociatave për antarësim.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)