20 Prill 2024

Shqipëria do të lobojë për sa më shumë njohje për Kosovën

Prishtinë, 19 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot Edmond Haxhinasto, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë.

Presidenti Pacolli fillimisht e falënderoi popullin dhe institucionet e Republikës së Shqipërisë për gjithë çfarë kanë bërë dhe po bëjnë për popullin dhe shtetin e Kosovës.

Në vijim, ai e njoftoi z.Haxhinasto për gjendjen e përgjithshme në vendin tonë, për periudhën e rëndësishme që po kalon shteti i Kosovës në shumë sfera dhe angazhimet e gjithë institucioneve të vendit që, me ndihmën e miqve dhe përkrahësve të vazhdueshëm, t’i kapërcejë një varg sfidash, që i kemi përpara.

Presidenti Pacolli falënderoi ministrin Haxhinasto dhe pararendësit e tij për punën shumë të madhe që kanë bërë për sigurimin e një numri sa më të madh të njohjeve për shtetin e ri të Kosovës.

Ai shfaqi shpresën se diplomacia e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë në këtë fushë dhe do të shtojë edhe më shumë angazhimet, si dhe theksoi nevojën e krijimit të një agjende të përbashkët angazhimesh, në mënyrë që Kosova të shtojë sa më shumë numrin e njohjeve, por edhe të arrijë sa më shpejtë të bëhet pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë, një synim ky i përhershëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në planin e bashkëpunimit ndërshtetëror, Presidenti Pacolli përsëriti idenë e krijimit të kushteve për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve e mallrave, duke jetësuar në këto hapësira idenë e Minishengenit, që do të jetë në të mirë të lëvizjes së lirë të qytetarëve, por që do të shërbejë edhe si parapërgatitje për integrimin sa më të shpejtë në familjen e madhe evropiane.

Ai i kushtoi një rëndësi të madhe edhe bashkëpunimit ekonomik, ku ka shumë mundësi, por edhe nevojë që të krijohen lehtësira të tjera për bizneset e të dy shteteve, por edhe të shteteve të tjera të rajonit.

Edmond Haxhinasto, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, fillimisht përgëzoi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re, duke ia përcjellë edhe urimet e Presidentit Topi dhe të Kryeministrit Berisha.

Haxhinasto theksoi se të dy shtetet tona kanë nivel shumë të mirë bashkëpunimi, por koordinimi më i madh do të shtojë edhe më tej efikasitetin e bashkëpunimit. Ai gjithashtu theksoi angazhimin e Shqipërisë që Kosova të mos mbetet jashtë nismave të ndryshme rajonale.

Duke folur për procesin e njohjeve, zHaxhinasto tha se Shqipëria do të vazhdojë lobimin për të siguruar sa më shumë njohje dhe, në këtë plan, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, do të hartohet një program i përbashkët i veprimit në këtë fushë.

Ai gjithashtu tha se të dy vendet mund të shtojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik, i mundësuar tashmë edhe nga infrastruktura rrugore dhe veprimet e përbashkëta në fusha të tjera që do të mundësojnë një shkallë më të lartë të bashkëpunimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)