28 Mars 2024

Shqipëria dhe Kosova me agjendë të përbashkët për njohje

Prishtinë, 18 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj priti në një takim Zëvendëskryeministri dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.

“Për mua është po ashtu një ditë e veçantë që ky është i vetmi ministër i Punëve të Jashtme me të cilin unë flas shqip dhe i cili para jush mund të përgjigjet në gjuhën shqipe. Kjo flet për atë se vendet tona kanë një histori të përbashkët, traditë të përbashkët dhe gjuhë të përbashkët. Vendet tona kanë edhe sfida të përbashkëta dhe vendet tona si shtete të pavarura ndjekin rrugën e përbashkët për integrime evropiane”, tha Ministri Hoxhaj.

Ai më tej shtoi se gjatë takimit është biseduar për tri çështje kryesore. Së pari ai ka falënderuar Zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme për mbështetjen historike që Republika e Shqipërisë i ka dhënë Republikës së Kosovës në rritjen e numrit të njohjeve dhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Së dyti është biseduar në mënyrë shumë të detajuar për atë se si në mes dy shteteve tona të ketë bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik dhe ky bashkëpunim do të fokusohet me bërjen e disa marrëveshjeve, memorandumeve, protokolleve të ekonomisë, energjetikes në fushën e tregtisë, turizmit, shëndetësisë, arsimit, doganave dhe gjatë muajve të ardhshëm ju do të shihni edhe projekte konkrete të cilat do të jetësohen falë këtij bashkëpunimi në mes të dy shteteve tona.

Çështja e tretë për të cilën është biseduar, sipas Ministrit Hoxhaj, është që Republika e Shqipërisë, Kryeministri, Presidenti, Zv/kryeministri, Kryetarja e Kuvendit dhe të gjithë diplomatët që i ka Shqipëria në pjesë të tjera të botës ta ndihmojnë edhe më shumë Republikën e Kosovës me shtimin e numrit të njohjeve, ta ndihmojnë edhe më shumë Republikën e Kosovës në anëtarësimin e saj në institucionet politike, financiare, të sigurisë dhe të kulturës që janë në nivelin global.

“Krahas kësaj kemi biseduar edhe për  mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë dhe i jep Kosovës në anëtarësimin e saj në iniciativat rajonale dhe në mekanizma rajonal. Jemi pajtuar që të ketë një komision të përbashkët në mes të dy ministrive tona dhe i cili komision do të mbikëqyrë, udhëzon dhe do ta jetëson çështjen e implementimit të gjitha prioriteteve që kemi biseduar gjatë kësaj vizite të parë që zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme e bënë në Republikën e Kosovës”.

Ndër pikat e diskutimit, tha më tej Ministri Hoxhaj, ka qenë edhe ajo sesi ta rrisim numrin e njohjeve të Republikës së Kosovës dhe se Republika e Shqipërisë. Sipas tij, Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme në mënyrë aktive ka qenë i involvuar që ta ndihmojnë Kosovën në një proces të tillë.

“Ne e kemi një plan të përbashkët koordinues për vitin 2011 dhe ju do ta shihni në bazë të veprimeve dhe në bazë të vizitave që kjo gjë do të ndodh. Krahas kësaj ne si MPJ jemi duke bërë një analizë të veçantë për secilin shtet veç e veç se cilat janë motivet e tyre që nuk e njohin Kosovën. Cilët janë faktorët e brendshëm të këtij shteti, cila është pozita e tij rajonale, cila është pozita e tij në një kontinent të caktuar meqë pavarësia e Kosovës, kuptohet dhe lexohet në pjesë të botës në forma të ndryshme dhe këtë analizë ne do ta ndajmë me Tiranën zyrtare, e cila po ashtu në të kaluarën ka ndihmuar shumë që Republika e Kosovës të merr sa më shumë njohje”, tha Ministri Hoxhaj.

Çështja e forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, sipas tij, varet edhe prej asaj sesi Republika e Kosovës të anëtarësohet në institucionet e rëndësishme politike, të sigurisë, financiare, kulturore dhe kemi biseduar edhe për atë sesi të bëhemi anëtar të disa forumeve të rëndësishme botërore.

“Sot kemi diskutuar për agjendën dypalëshe të bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Është një agjendë e cila është ambicioze, por jemi të bindur se do ta realizojmë me sukses. Këtë besim e kemi së pari ngaqë institucionet e zgjedhura, personat që janë në krye të tyre, përfshirë edhe Hoxhaj, janë zgjedhur në një proces demokratik dhe besoj se institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e dhjetorit do ta realizojnë në mënyrën më efikase punën e tyre për të përballuar të gjitha sfidat që ka Kosova si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij”, tha në fillim të fjalës së tij Zv/kryeministri dhe Ministri i MPJ të Shqipërisë Edmond Haxhinasto.

Ai njoftoi se me ministrin Hoxhaj kanë folur për aspektet konkrete të bashkëpunimit midis dy vendeve, për klimën e shkëlqyer për të realizuar një agjendë bashkëpunimi ekonomik të veçantë, për të arritur një bashkëpunim dhe integrim midis dy vendeve tona që do të ndikojnë gjithashtu në zhvillimin e gjithë rajonit.

Sipas Zv/kryeministri dhe Ministri Haxhinasto, është shumë e rëndësishme që bashkëpunimi të shtrihet në fushën e infrastrukturës, të energjisë, të turizmit, por edhe në fushën e arsimit, kulturës dhe në fushat e tjera me qëllim që dy vendet tona janë shembull i shkëlqyer bashkëpunimi i këtyre dy vendeve tona, bashkëpunim që do të ndikojnë edhe në proceset integruese të të gjithë rajonit.

“Një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimeve me Ministrin Hoxhaj ishte edhe integrimi i plotë i Kosovës në gjithë nismat rajonale dhe mbështetjen që do t’i japë dhe vazhdon të japë Shqipëria Kosovës dhe eksperiencat që do t’i japë në proceset e integrimit evropian, ku çështje e rëndësishme, e prekshme, do të jetë sidomos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës me qëllim që edhe ata ta fitojnë këtë të drejtë, pasi çështja e integrimit në BE nuk ka të bëjë me statusin, por ka të bëjë me cilësinë e jetës së qytetarëve dhe nuk ka asnjë lloj pengese që qytetarët e Kosovës mund të lëvizin në BE”.

Kjo është një agjendë që Haxhinasto beson se të ndiqet në mënyrë të vazhdueshme, intensive dhe institucionale.

“Kemi identifikuar mekanizmat që do ta realizojnë atë dhe unë kam besimin e plotë që me homologun tim Hoxhaj t’i bëjmë marrëdhëniet tona ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës një shembull bashkëpunim. Një sfidë shumë e madhe e bashkëpunimit tonë do të jetë mbështetja e pakursyer dhe më efikase në mënyrë të veçantë e diplomacisë së saj për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës që është një bindje e jona, sepse është një realitet që pavarësia e Kosovës është një e drejtë e saj, është një zhvillim i jashtëzakonshëm në rajon që vetëm e ka konfirmuar në rritjen e paqes dhe stabilitetit të tij. Dhe me këto procese integruese vetëm do të shkojmë në rritjen e prosperitetit të rajonit tonë”, theksoi Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Haxhinasto.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)