10 Gusht 2022

SHBA zotohet për Kosovën sovrane e të pavarur

Prishtinë, 13 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër nga Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J.Blinken.

Sekretari Blinken ka thënë se marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane dhe të pavarur. Duke i strehuar me zemërgjerësi afganët që janë në pritje të rivendosjes, Kosova po tregon lidership në të cilin Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët mund të mbështeten, ka shkruar Blinken.

Ngjashëm, ka thënë ai, vendosja e përbashkët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë e SHBA-së në Kuvajt, vë në pah kapacitetin në rritje të Kosovës për të kontribuuar në sigurinë globale.

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, ka shkruar në letër Sekretari Blinken.

Lidhur me raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Sekretari Blinken ka thënë se natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve mbetet një pengesë e madhe ndaj anëtarësimit dhe integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, i cili është një qëllim i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka shkruar Blinken.

Në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, Sekretari Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara, shpresojnë në lidershipin tuaj personal për rikthimin e momentumit në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të vendit tuaj, pastaj duke e nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me fokusin, kreativitetin dhe urgjencën e kërkuar.

“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar Blinken.

Mbështetja e vendimeve gjyqësore, në veçanti vendimeve që ndërlidhen me të drejtat e minoriteteve, do të kishte efekt të ngjashëm pozitiv dhe është në harmoni me prioritetet e qeverisë tuaj për fuqizimin e sundimit të ligjit, ka shtuar ai.

“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, ka përmbyllur letrën dërguar kryeministrit të Republikës së Kosoëvës, Albin Kurti, Sekretari i shtetit i SHBA-së, Antony S. Blinken.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 10 gusht 2022

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00) 

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit SHAL 57. (Hoteli Grand, ora 12:30)