24 Prill 2024

SHBA rikonfirmon mbështetjen për sovranitetin e Kosovës

Prishtinë, 17 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker. Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të po i japin Kosovës në të gjitha fushat dhe për tema tjera me interes.

Kryeministri Thaçi në takim ka prezantuar përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, ku tash e 12 vite ka mbizotëruar krimi i organizuar, kontrabanda dhe dukuritë tjera negative, nga strukturat kriminale në atë pjesë të vendit.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi theksoi se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe në tërësi në pjesën veriore të Kosovës është një vendim legjitim, i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në Pakon e Presidentit Ahtisaari dhe, mbi të gjitha, i bazuar në domosdonë e sundimit të rendit , ligjit dhe ndaljes së kontrabandës e krimit të organizuar në atë pjesë të territorit të vendit.  “Ky vendim  ka krijuar rrethana të reja, realitetin e ri, situatën e re, një kapitull të ri, atë të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës” – tha Kryeministri Thaçi.

“Në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, ne do të vazhdojmë përkushtimet tona për të përmbyllur me sukses të plotë kapitullin e ri të vendosjes së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit, duke funksionalizuar gjykatat, duke shpërbërë strukturat kriminale, duke luftuar dukuritë tjera negative në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo është në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime etnike, është në të mirën e zhvillimit ekonomik, të integrimit, të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Në këtë drejtim nuk do të ketë kthim prapa”- theksoi kryeministri Thaçi.

Kryeministri  Hashim Thaçi ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme në këto angazhime të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“SHBA-të gjithmonë kanë qenë mbështetës të fuqishëm për vënien e rendit dhe ligjit dhe respektimin e plotë të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, për çka u jam mirënjohës” – ka theksuar kryeministri Thaçi

Nga ana e tij, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker, pasi ka falënderuar kryeministrin Thaçi për mikpritjen, ka ritheksuar qëndrimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit në veriun e Kosovës.

Reeker më tej tha se sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është shumë i qartë dhe  ajo që duhet të fokusohemi është vullneti për vendosjen e sundimit të ligjit në veri dhe në zbatimin e Planit të Presidentit Ahtisaari.

“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtë legjitime që të shtrijë autoritetin e vet në gjithë territorin e vendit” – u shpreh zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker, pas takimit me kryeministrin Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)