13 Maj 2021

Sekretari Blinken uron Kurtin, i premton përkrahjen e plotë të SHBA-së

Prishtinë, 8 prill -  Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i ka dërguar një letër urimi Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet së cilës e ka përgëzuar atë dhe popullin e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike, të mbajtura më 14 shkurt.

Ai ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe se presin të punojnë ngushtë për të siguruar, siç ka thënë ai, që Kosova sovrane, e pavarur, shumë-etnike dhe demokratike të zë vendin e saj si partner i barabartë në familjen euro-atlantike.

Sekretari Blinken i ka mirëpritur zotimet e kryeministrit Kurti për luftimin e korrupsionit, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rikuperimin nga pandemia COVID-19, si edhe përpjekjet e tij për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës.

Më tej, në letër ai ka thënë se sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Do të keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim, ka thënë sekretari Antony J. Blinken.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Maj 2021

- Me rastin e shënimit të 40 vjetorit të rënies së heronjve, Nebih e Tahir Meha, Komuna e Skenderajt organizon ceremoninë e zbulumit të busteve të heronjve: Emin Latit, Nebih, Tahir e Beqir Meha. (Oborri i Kullës "Tahir Meha' në Prekaz, ora 15:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani - Sadriu pret Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor. (Kabineti i Presidentes, ora 16:00 - Mediat e interesuara për përcjelljen e takimit dhe të konferencës duhet të jenë të pranishme në Presidencë në orën 15:20)