04 Gusht 2021

Sejdiu udhëtoi për në Bruksel

Prishtinë, 16 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu do të qëndrojë për një vizitë në Bruksel, ku nesër, më 17 mars 2010, do t'i drejtohet Këshillit të NATO-s (Këshillit të Atlantikut Verior) dhe do të flasë për progresin e arritur në Kosovë, si dhe për gjendjen aktuale politike e të sigurisë.

Para nisjes për në Bruksel, Presidenti Sejdiu tha se do ta njoftoi Këshillin e NATO-s me zhvillimet e përgjithshme që kemi pasur në vend,  do të shprehë falënderimet e institucioneve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për angazhimet që KFOR-i  dhe NATO-ja kanë dhënë në Kosovë si dhe për përkushtimin e tyre për ecjen e mëtejshme.

“Do ta njoftoj Këshillin e NATO-s, për opinionet e institucioneve të Kosovës lidhur me zhvillimet politike, veprimet e bëra deri më tash, synimet për ecjen e mëtejshme, në kuptimin e realizimit të projektit që Kosova të lëvizë fuqishëm në zhvillimet e sajë të brendshme ekonomike, demokratike dhe zhvillime të tjera, si dhe për rolin e saj që të jetë faktor i rëndësishme i të paqes dhe të stabilitetit”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se do ta përsërisë kërkesën e tij të mëhershme, bërë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe admiralit Fitzgerald, që Kosova, qoftë edhe simbolikisht, të jetë prezente në operacionet paqësore të NATO-s, në mjediset ku ata janë. Përkundër vështirësive objektive të kohës, Presidenti tha se besonte që do të mund të bëhen lëvizje të mira në këtë drejtim.

I pyetur për raportet ndërmjet  institucioneve të Kosovës dhe  KFOR-it, pas debateve të fundit, Presidenti Sejdiu theksoi: “Ato janë sekuenca të cilat janë tejkaluar në mënyrën më të mirë, pas bisedave intensive me komandantin e KFOR-it Bentler, dhe se është interes reciprok që të kemi bashkëpunim sa më të ngjeshur, sepse edhe vet misioni i KFOR-it në Kosovë është paqja, ecja dhe zhvillimi i Kosovës”.

Gjatë kësaj vizite, Presidentin Sejdiu do ta shoqërojë edhe Ministri i FSK-së, z. Fehmi Mujota.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Gusht 2021

- Bordi dhe menaxhmenti i NP KOSTT raporton para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me organizmin e brendshëm dhe zbatimin e projekteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 11:00)