20 Prill 2024

Së shpejti, targat e reja të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 18 qershor - Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është prioritet i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në këtë aspekt, i një rëndësie të veçantë është takimi i djeshëm në Bruksel ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe komisionarit të BE-së për zgjerim, Stefan Fule, nga i cili doli qëndrimi se deri në fund të verës Kosova do ta marrë udhërrëfyesin për viza. 

Kështu tha sot ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, gjatë një prezantimi në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri të Kuvendit të Kosovës. 

Gjatë këtij dëgjimi publik, që u udhëhoq nga kryetari i Komisionit, Rrustem Mustafa, ministri Rexhepi theksoi se Kosova është në vazhdën e përpjekjeve maksimale për plotësimin e standardeve të përcaktuara në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, si kusht për liberalizimin e vizave. 

“Në kuadër të një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet shteteve të regjionit, që është edhe kërkesë e Komisionit Evropian, kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me Shqipërinë, ndërsa shumë shpejt do t’i marrim kompetencat për një pjesë të kufirit me Maqedoninë dhe Malin e Zi”, u shpreh ministri Bajram Rexhepi, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm memorandumin me Shqipërinë për policinë rrugore gjatë sezonit veror, i cili parasheh që policë të Kosovës dhe të Shqipërisë,  të patrullojnë bashkërisht rrugëve të Shqipërisë, posaçërisht në aksin Durrës-Morinë. 

Sa i përket kufirit me Malin e Zi, Rexhepi paralajmëroi një takim me homologun e tij malazez, në të cilin pritet të diskutohet edhe për kërkesat e qytetarëve buzë këtij kufiri, të cilët përballen me probleme për shkak të mosdefinimit të demarkacionit me këtë shtet fqinj. 

Duke folur rreth dokumenteve civile, ministri i brendshëm theksoi se krijimi i regjistrit civil është parakusht për prodhimin e pasaportave biometrike. Ai theksoi se ky proces po ecën mirë dhe pritet që brenda gjashtë muajve të përmbushen standardet e kërkuara nga Komisioni Evropian. “Ndihmë të madhe kemi nga Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, si një model i mirë, i preferuar edhe nga Komisioni Evropian, e cila ka hartuar regjistrin civil brenda një kohe rekord”, potencoi Rexhepi. 

Sa i përket kthimit të qytetarëve të Kosovës nga shtetet e tjera, ai tha se janë nënshkruar marrëveshje me gjashtë shtete, ndërsa me disa të tjera negociatat janë në përfundim. Ai tha se marrëveshjet ndihmojnë që të mos ketë kthim të pakontrolluar, i cili do të krijonte probleme për shkak të mungesës së kapaciteteve të mëdha absorbuese të Kosovës, por ai të jetë i bashkërenduar me shtetet përkatëse, ndërsa Kosova të krijojë kushte për të riatdhesuarit. 

Ministri Rexhepi potencoi se ekziston përkushtimi që deri në vitin 2011 ministria që ai udhëheq t’i plotësojë kushtet për liberalizimin e vizave dhe Kosova të bëhet pjesë e këtij procesi. 

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ministri tha se nuk do të ketë kompromis në këtë drejtim dhe rezultatet e deritashme janë inkurajuese. 

Anëtarët e Komisionit ngritën një sërë çështjesh dhe shtruan pyetje në adresë të ministrit Rexhepi, me theks të veçantë në çështjen e kufirit me Malin e Zi, me Serbinë, vjedhjen në dhomën e dëshmive, targat serbe dhe targat e reja të Republikës së Kosovës etj. Rreth këtyre të fundit, ai tha se ka pasur një ekip këshillues nga Komisioni Evropian, i cili ka përgatitur specifikacionin dhe do të jetë prezentë gjatë ofertimit. “Gjithçka do të jetë transparente dhe tenderin do ta fitojë ai që ka ofertën më të mirë”, theksoi Rexhepi, duke shfaqur shpresën që brenda dy muajve do të fillohet me prodhimin e targave të reja të Republikës së Kosovës. Ndërsa, rreth targave të vjetra që vazhdon t’i përdor një pjesë e minoritetit serb, ai tha se do të kërkohet afatizimi i përdorimit të tyre për një periudhë 3-6 mujore. 

Rexhepi potencoi serish se sqarimi i vjedhjes në dhomën e dëshmive ka qenë prioritet i tij i parë, ndërsa kjo çështje tashmë është në duar të EULEX-it dhe hetimet janë duke vazhduar. 

Kryetari i Komisionit, Rrustem Mustafa, u shpreh i kënaqur me sqarimet e ministrit Rexhepi dhe konfirmoi mbështetjen e plotë të tij dhe komisionit që ai udhëheq, për të përballuar bashkërisht sfidat që Kosova ka para vetes.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)