29 Mars 2024

Së shpejti Qeveria bëhet me zëdhënës

Prishtinë, 27 qershor - Kryeministri Hashim Thaçi së shpejti do ta emërojë zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës. Lajmin e ka bërë me dije për “Epokën e re”, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Ai nuk ka dashur ta japë ndonjë afat kohor se kur do të ndodhë kjo saktësisht, por ka bërë me dije se Qeveria shumë shpejt do ta ketë zëdhënësin. Madje nuk e ka përjashtuar mundësinë që emërimi i zëdhënësit të bëhet këtë muaj.


“Nuk mund të lidhem për fjale dhe të jap ndonjë afat kohor, por mund t’ju siguroj se shumë shpejt kryeministri Hashim Thaçi do ta emërojë zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.


Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se, edhe pse Qeveria s’ka pasur zëdhënës, nuk ka munguar komunikimi me gazetarët. “Edhe kryeministri, por edhe zëvendësit e tij, ministrat dhe zëvendësministrat, vazhdimisht kanë qenë në dispozicion të gazetarëve. Po ashtu çdo javë Qeveria mban mbledhjet e rregullta, ku gazetarët kanë qasje, pastaj unë personalisht vazhdimisht iu përgjigjem pyetjeve të ndryshme të gazetarëve, qoftë në konferenca për medie, qoftë nëpërmjet telefonit”, ka theksuar zëvendëskryeministri Kuçi.

Por, për përfaqësuesit e shoqatave të gazetarëve mungesa e zëdhënësit të Qeverisë është shumë shqetësuese.


Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), Arben Ahmeti, ka thënë se mungesa e zëdhënësit të Qeverisë i pengon gazetarët ta kryejnë punën e tyre qoftë edhe teknikisht.

“Mungesa e zëdhënësit është mënyra më e drejtpërdrejtë se si Qeveria mundohet ta pengojë dhe ta pamundësojë punën e gazetarëve.

Mungesa e një zëdhënësi i pengon gazetarët ta kryejnë punën e tyre qoftë edhe teknikisht. Kjo tregon se Qeveria është joserioze duke marrë parasysh se, edhe pas 100 ditëve, nuk ka zëdhënës. Kjo nënkupton se përfaqësuesit qeveritarë nuk janë të interesuar të flitet për Qeverinë as në publik e as në medie dhe kjo për AGPK-në është shumë shqetësuese”, ka deklaruar Ahmeti.


Ai ka thënë se komunikimi në mes të Qeverisë dhe gazetarëve ka rënë në nivelin e SMS-ve.

“E vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës gazetarët mund ta kuptojnë dhe të marrin ndonjë qëndrim prej Qeverisë është shkëmbimi i SMS-ve me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçin. Është mirë që Kuçi është prezent në media për aq sa ka mundësi, mirëpo është tepër keq dhe shqetësuese që nuk kemi zëdhënës, i cili do të ishte 24 orë në dispozicion të gazetarëve.

Shqetësues është edhe fakti se kryeministri Hashim Thaçi ka filluar ta heqë nga agjenda takimin me medie”, ka deklaruar Ahmeti.

Edhe kryetari i Unionit të Gazetarëve të Kosovës (UGK), Muhamet Jahiri, ka vlerësuar se mungesa e zëdhënësit ndikon negativisht në punën profesionale të gazetarëve, duke i neglizhuar dhe duke iu shkaktuar vonesa në realizimin e detyrave të tyre.

“Padyshim se Qeveria e Kosovës me dikasteret e saj është promotore e zhvillimeve politike të vendit, dhe kur kihet parasysh një gjë e tillë, mungesa e një ndërmjetësuesi të Qeverisë, më konkretisht e zëdhënësit të saj, e vështirëson tej mase punën e gazetarëve”, është shprehur Jahiri.


Ai ka thënë se komunikimi i gazetarëve me Qeverinë nëpërmjet kanaleve dytësore shkakton vështirësi në sigurimin e informacioneve, në korrektësinë e informacionit si dhe është shkelje e padrejtë që mund t’i bëhet komunitetit të gazetarëve.

“Duke e pasur parasysh rëndësinë e zëdhënësit, ne i kërkojmë Qeverisë së Kosovës që sa më parë ta emërojë përfaqësuesin e saj, i cili do të ishte në shërbim të gazetarëve, kjo do të ndikonte që opinioni i gjerë publik të njihej më mirë dhe më drejt me punën e Qeverisë dhe me zhvillimet politike”, ka deklaruar Jahiri.(Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)