29 Mars 2024

Rifat Jashari: Lërini anash inatet personale

Prishtinë, 5 mars - Vëllai i ikonës së luftës së UÇK, Rifat Jashari, ka kërkuar nga liderët politik dhe institucionet joqeveritare, që t`i lënë mënjanë “inatet personale” dhe të punojnë “për ta vënë Kosovën në binarët e duhur”.

Këto komente, Jashari i ka bërë gjatë pritjes që u ka bërë delegacioneve të partive politike dhe të parit të Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, në kullën e tij në Prekaz, të shtunën.

Ndërkaq, rektori Rugova tha se kishte ardhur në Prekaz për t`i shprehur respektin e përjetshëm familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve.

“Jasharët, nga një, u bëfshin 1 milion”, ka theksuar ai, duke ia dorëzuar më pas Rifatit bustin e Adem Jasharit, të punuar në bronz nga një student i Akademisë së Arteve.

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli vlerësoi lart sakrificën e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij 13 vjet më parë, por edhe të dëshmorëve tjerë të vendit. Ai tha se themelet e shtetit janë të fortë fal gjakut të dëshmorëve që kanë rënë për liri.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duke kujtuar kohën e sakrificës së familjes Jashari tha se atë ditë gjithë Kosova u zgjua në një betejë për liri dhe shtet. Sipas tij, ajo ditë bashkoi Kosovën dhe gjithë shqiptarët, por zgjoi edhe vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Agim Çeku, ndërkaq premtoi se do të punojë me gjithë forcën për të quar përpara amanetin e dëshmorëve, por edhe ndërtimin tashmë të FSK-së

Manifestimi Epopeja e UCK-së zgjatë tri ditë. Në ditën e dytë të këtij manifestimi zyrtarë të lartë shtetëror do të bëjnë homazhe te varri i komandantit Adem Jashari në Prekaz, ndërsa në Prishtinë do të mbahet një akademi përkujtimore. Ndërsa dita e tretë që njihet edhe si ”Nata e Zjarreve” do të mbahet në Prekaz, ndërsa koncerti për këtë rast do të mbahet në sheshin Adem Jashari në Prekaz.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)