04 Gusht 2021

Republika e Kosovës hap edhe zyrtarisht ambasadën në Zagreb

Zagreb, 19 shkurt - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm i Republikës së kroacisë, Goran Jandrakoviq, duke zbuluar pllakën me mbishkrimin “Ambasada e Republikës së Kosovës”, kanë shënuar edhe zyrtarisht hapjen e Ambasadës së republikës së Kosovës në Zagreb.

Në një fjalë rasti, Presidenti Sejdiu tha se inaugurimi i ambasadës së Kosovës në Zagreb është një moment i gëzimit për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për miqtë e saj, për Republikën e Kroacisë, në këtë rast si dhe për të gjithë miqtë tanë të përbashkët.

“Hapja, apo inaugurimi i këtij objekti që do të shërbejë për ambasadë të Republikës së Kosovës, që është një shenjë e mbështetjes dhe e rritës së Kosovës në kuptimin e mbështetjes ndërkombëtare të Kosovës dhe plasimit të identitetit të saj si shtet sovran dhe i pavarur, është një koincidencë e mirë, pardje kemi kremtuar ditën e pavarësisë së vendit, dje ishim në një solemnitet të shkëlqyeshëm të inaugurimit të Presidentit të ri të Kroacisë, Josipoviq, dhe sot hapet ambasada e Republikës së Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Ambasada e Kosovës, vijoi Presidenti Sejdiu është e të gjithë qytetarëve edhe ata që do të merren punë shtetërore, me misione në kuptim të bashkëpunimit me Republikën e Kroacisë, por edhe e të gjithë qytetarët që gjenden këtu në këtë shtet që ka qenë shtëpi e dytë për ta, në këtë shtet që kanë bërë punë të mëdha për të mbështetur Kosovën në periudhat më të  vështira që kemi pasur, në orët më të liga siç e themi gjithmonë, kanë qenë  njerëz që janë sakrifikuar në luftën e shenjt atdhetare për pavarësinë e Kroacisë.

Ne kemi respektin më të madh për shtetin kroat që këtyre njerëzve u ka dhënë mbështetje pa rezervë dhe njëkohësisht i jep mbështetje Republikës së Kosovës.

“Republika e Kosova deri më tash ka hapur 21 ambasada në katër anët e  botës, dhe vendimi për hapjen e ambasadës në Republikën e Kroacisë është ndër vendimet e para, për arsye se kemi lidhje të hershme në kuptimin e bashkëpunimeve, dhe them po kështu se Kroacia edhe kur kemi qenë në shtetin e përbashkët, tashmë të shpërbërë, ka qenë mbështetëse e idealeve tona. Shumë njerëz nga Kosova janë shkolluar këtu, kanë marrë grada të larta shkencore, kanë qenë bartës të bashkëpunime ndëruniversitare por edhe në fusha të tjera dhe në të njëjtën koha ka ardhur koha që të shpaguhen në mënyrë reciproke edhe Kroacia të mbështetë Kosovën, por edhe njerëzit e Kosovës të mbështesin Kroacinë. Është kohë e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe qytetarëve është kohë e gravitimit tonë të shpejt drejt strukturave evroatlantike, përvojat e Kroacisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ne, ata do të na shërbejnë për të shpejtuar hapin në veprime të mira dhe shumë efikase, dhe është koha që të zhvillojmë marrëdhënie ekonomike edhe të rrafsheve të tjera”, tha Presidenti Sejdiu.

Kroacia është një vend që pa rezerva ka investuar dhe do të investojë në Kosovë, dhe ne do të bisedojmë edhe në momente të ceremonisë, me miqtë tanë, dhe falënderoj për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë dhe do t’i japë Kosovës në të gjitha nivelet e tjera, vijoi Presidenti Sejdiu.

Ai tha se ka biseduar me Presidentin Mesiq më parë dhe Presidentin e ri Josipoviq të cilët kanë deklaruar se do të angazhohen te të gjitha vendet mike që kanë për të shpejtuar me mbështetjen për njohjen e Republikës së Kosovës.

Ndërsa ministri i Jashtëm kroat Goran Jandrakoviq tha se hapja e ambasadës së Kosovës është shenjë e marrëdhënieve gjithnjë më të mira mes Kosovës dhe Kroacisë, e cila e ka njohur Republikën e Kosovës duke qenë ndër shtetet e para.

“Kroacia është e gatshme të ofrojë gjithë eksperiencën e saj në ndërtimin e institucioneve, si edhe në rrugën e integrimeve euroatlantike”, tha ministri Jandrakoviq.

Ai gjithashtu theksoi se qytetarët me prejardhje nga Kosova, që janë shtetas të Kroacisë, janë një urë e mirë lidhëse në mes dy shteteve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Gusht 2021

- Bordi dhe menaxhmenti i NP KOSTT raporton para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me organizmin e brendshëm dhe zbatimin e projekteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 11:00)