20 Prill 2024

Raporti i Vendit për Kosovën 2021: Numërim në vend apo jo?”

Prishtinë, 21 tetor - GLPS ka organizuar sot një konferencë për media ku shpalosi një analizë të përgjithshme të të gjeturave të Raportit të Vendit 2021 të Komisionit Evropian për Kosovën, të publikuar së fundmi. Raporti i Vendit për Vitin 2021 jep një vlerësim të përgjithshëm për periudhën një vjeçare, tetor 2020 – tetor 2021. Si i tillë vlerëson dy periudha të ndryshme qeverisëse, pjesërisht qeverinë Hoti dhe periudhën e mbetur të qeverisë pasuese Kurti 2.

Raporti për Vendin për vitin 2021 nuk përbën ndonjë risi në vlerësimin e përgjithshëm të defekteve të institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe në përgjithësi karakterizohet me progres të limituar në shumicën e fushave. Ky raport vë në dukje një progres të lehtë në fusha të caktuara, por që nuk përbën ndryshim rrënjësor për aspiratat integruese të Kosovës. Përkatësisht, vlerësimet e këtij viti janë më pozitive në fushën e prokurimit publik, një rritje të ndjeshme ekonomike përmes rritjes të të hyrave nga grumbullimi i taksave, luftën kundër terrorizimit, politikat e migrimit, statistikat dhe kontrollin financiar.

Megjithatë, raporti vë theks shqetësues mbi progresin e limituar të Kosovës në implementimin e mëtutjeshëm të reformave që lidhen me procesin integrues, siç janë: sundimi i ligjit, reforma në administratë publike, reforma në arsim,  informalitetin e lartë e luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo theksohet të jetë pasoj e dy dukurive përfshirë gjendjen e rënduar me pandeminë COVID-19, por më së shumti mungesën e stabilitetit politik me theks të veçantë në gjysmën e parë të periudhës raportuese. Tutje, raporti vë në pah se plani i ri i Qeverisë Kurti 2 prioritizon menaxhimin e pandemisë dhe pasojave të saj, luftën kundër korrupsionit si dhe përfshin një plan ambicioz për reforma afatgjate socio-ekonomike.

Në një prizmë më pozitive, raporti vlerëson angazhimin e qeverisë për të aprovuar fazën e dytë të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) si dhe të Planit Kombëtarë për Zbatimin e MSA-së, të dyja këto dokumente strategjike të aprovuara tanimë nga qeveria. Me aprovimin e të dyja këtyre dokumenteve, BE ka vlerësuar angazhimin e qeverisë për të bërë progres në rrugën integruese, duke e  konsideruar atë si një ripërtrirje të përpjekjeve të vendit karshi reformave që lidhen me procesin integrues të Kosovës. Më tutje, vërehet një theksim i shtuar i faktit që obligimet që derivojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit duhet të përmbushen brenda kohës së paracaktuar.

Edhe këtë vit, Kosova fatkeqësisht nuk veçohet për ndonjë reformë të thellë strukturore për të cilën janë arritur rezultate të dëshirueshme siç ndodh me vendet e rajonit. Secili nga vendet e Ballkanit Perendimor vlerësohet për një proces të thellë reformues gjatë kësaj periudhe raportuese, por një vlerësim i tillë nuk është evident edhe për Kosovën.

GLPS rekomandon që Qeveria e Kosovës të bëj përpjekje e shtuar dhe koordinimim më të mirë ndër-institucional për të shënuar rezultate konkrete në disa nga reformat kyçe sic janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratë publike, në arsim, dhe mbi të gjitha, kërkohet angazhim i shtuar dhe serioz institucional në përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA dhe Agjenda për Reforma Evropiane.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)