19 Janar 2022

Qeveria shpalli vitin 2022 - Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë

Prishtinë, 3 dhjetor - Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpallur vitin 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës.

Në hapje të konferencës së organizuar nga Zyra e Kryeministrit, u theksua përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Qëllimi ynë i përbashkët është që Kosova të ecë përpara në vitin 2022, duke garantuar që të gjithë personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, pavarësisht nga gjinia, origjina racore apo etnike, feja apo besimi, mosha apo orientimi seksual, të gëzojnë të drejtat e tyre njerëzore, të kenë mundësi të barabarta dhe qasje të barabartë, tha në hapje të konferencës Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës, znj. Emilia Redžepi.

Në konferencë u bë prezantimi i kalendarit të aktiviteteve për vitin 2022, që përmban një grup ambicioz aktivitetesh që fokusohen në shëndetësi, drejtësi, siguri, edukim, arsimim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport.

Folës në konferencën e sotme ishin edhe znj. Annacarin Platon, ushtruese e detyrës së Shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, z. Naim Çelaj, Avokat i Popullit, z.Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, z. Afrim Maliqi, Drejtor i HANDIKOS, znj. Sebahate Hajdini Beqiri nga Down Syndrome Kosova, z.Daut Tishuki nga Shoqata e të Verbërve, z.Cenë Krasniqi nga organizata Autizmi  dhe z.Enver Kurtalani nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve.

Kjo konferencë u organizua nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, në bashkëpunim me projektin “Kosova gjithëpërfshirëse”, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga HANDIKOS, Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, Shoqata e të Verbërve të Kosovës, Forumi i Aftësisë së Kufizuar, “Threshold” dhe “Disability Partnership Finland”.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpalli vitin 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës - Zyra e Kryeministrit të Kosovës (rks-gov.net)

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)