13 Qershor 2021

Qeveria Kurti përgatit padinë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë

Prishtinë, 7 maj - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklarur se qeveria e tij ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës së fundit.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë pas miratimit të programit të punës së qeverisë së tij për katër vitet e ardhshme, duke theksuar se çështja e padisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë edhe një nga përparësitë punës.

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë tonë ,që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilën dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha ai.

 Kurti e kishte paralajmëruar një mundësi të tillë edhe më parë, duke nxitur reagimin e Serbisë, presidenti i së cilës, Aleksandër Vuçiç, tha se Kosova nuk mund ta bëj një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

“Po kërcënoni Serbinë me gjyq për gjenocid? Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, i tha ai një televizioni serb dy ditë më parë.

Kryeministri Kurti tha se “përgatitjet janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.

Shqiptarët e Kosovës e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999, gjatë së cilës u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan.

Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Kurti: Kosova nuk mund të ofrojë garanci për ish drejtuesit e UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti tha sot se Kosova nuk llogaritet si vend i tretë nga Gjykata e Posaçme për krime lufte në Hagë dhe si e tillë nuk mund të ofrojë garanci për mbrojtje në liri për ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare, që ndodhen në paraburgim.

“Problemi me çështjen e garancisë është se Kosova nuk është shtet i tretë. Në gushtin e vitit 2015, atëherë kur u zhvillua diskutimi në Kuvendin e Kosovës, argumenti kryesor se pse duhet aprovohet amandamenti24 që e votuan deputetët atëbotë e që ne e kundërshtuam, ka qenë se nëse nuk e bëjmë ne do të jetë gjykatë ndërkombëtare e OKB-së. Ne e kemi ditur që nuk është ashtu, pra ajo ka qenë më shumë një lloj frikësimi i atyre që ishin sponsor, qeveria e atëhershme ishte sponsor dhe ne bëmë kritikën tone”, tha ai duke nënvizuar se ishte e qartë që kjo gjykatë nuk do të ishte krejtësisht jashtë Kosovës.

“Por siç e kam thënë shpeshherë një këmbë e ka jashtë dhe një brenda pra brenda ngrehinës tënde juridike kushtetuese ti ke futur Gjykatën Speciale, prandaj nuk je më vend i tretë edhe unë besoj që i gjithë keqkuptimi ka të bëjë me këtë dhe tani jemi në një situatë kaq të pafavorshme ku Kosovës me vet vendimin e datës 3 gusht 2015 i pamundësohet që të konsiderohet si shtet i tretë. i cili do të mund të jepte garanci”, tha kryeministri Kurti.

Vendimi i javës së kaluar i Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, për të refuzuar kërkesat e katër të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për t’u mbrojtur në gjendje të lirë, nxiti debate në Kosovë por edhe ide të ndryshme për shtete që do të mund të ofronin garanci.

Ligji për themelimin e Gjykatës mundëson që një shteti të tretë, mund të ofrojë garanci për "të marrë dhe nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar".

Përgjatë debateve u tha se disa vende përfshirë Kroacinë kanë shprehur gatishmëri për të ofruar garanci të tilla. Por zyrtarët e këtij vendi hodhën poshtë deklarata të tilla.

Kryeministri Albin Kurti tha se nuk mund të kërkojë nga Kroacia garanci dhe se në këtë proces nuk është i përfshirë shteti i Kosovës.

“Tash aty ka një proces juridik në të cilën ata që janë në burg i kanë mbrojtësit e tyre ligjor të cilët e udhëheqin mbrojtjen pra nuk është shteti në gjyq andaj nuk më takon mua që të marr kësi hapash, do të ishte gabim edhe për shtetin e Kosovës edhe për vet luftëtarët e UÇK-së që i kemi në burg”, tha ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Qershor 2021 - Klubi Off Road Prizreni organizon ngjitje në Maje tek Liqenet. (Përball Qendrës Sportive ”Sezair Surroi” në Prizren, ora 10:00)
 
 - Me rastin e shënimit të 14 Qershorit, Ditës së Çlirimit të komunës së Rahovecit mbahet finalja në futboll të vogël. (Palestra Sportive“Mizahir Isma”, ora 18:00)