31 Korrik 2021

Qëllimi kryesor i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO

Prishtinë, 21 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti sot në takim Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.

Në këtë takim është biseduar për intensifikimin e punëve të të dy ministrive në integrimin e Kosovës në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë dhe rajonalë në fushën e sigurisë.

Po ashtu, është themeluar një grup punues për hartimin e një plani të përbashkët të veprimit për të përshpejtuar integrimin e Republikës së Kosovës në këto nisma.

Ministri Hoxhaj siguroi Ministrin Çeku se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht për integrimin e Kosovës në NATO dhe iniciativa tjera të sigurisë.

“Ne do të jemi në shërbimin tuaj për çdo nismë, për çdo reformë, për çdo aktivitet të Ministrisë që ju e drejtoni. Ne po ashtu do të bëjmë përpjekje të përditshme për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike”.

Ministrat Hoxhaj dhe Çeku u pajtuan që të themelojnë një grup punues për harmonizimin e punëve të dy ministrive.

“Me punë të përditshme, ne duhet të synojmë anëtarësimin sa më të shpejt të Republikës së Kosovës në Partneritetin për Paqe”.

Nga ana tjetër, Ministri i FSK-së, Agim Çeku falënderoi Ministrin Hoxhaj për gatishmërinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme për të ndihmuar anëtarësimin e FSK-së në nisma ndërkombëtare dhe rajonale.

“Jemi të interesuar që të jemi pjesë e çdo nisme rajonale dhe ndërkombëtare për siguri, derisa qëllimi kryesor mbetet anëtarësimi në NATO”.

Ministri Çeku shtroi nevojën e harmonizimit të veprimeve të të dy ministrive, në theks të veçantë, në hartimin e një platforme për sigurinë kombëtare.

Të dy ministrat u pajtuan që të kenë takime të rregullta në mes dy ministrive për të përmbushur  objektivat që do të dalin nga plani i veprimit, që pritet të përfundojë në fillim të muajit prill.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 Korrik 2021

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane dhe Komunën e Prishtinës organizon për herë të parë Panairin e Vullnetarëve të Shëndetit Mendor. (Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Federat e Futbollit të Kosovës organizon workshop-in rreth sistemit VAR. (Kampi Edukativ Nacional në Hajvali, ora 17:00)