07 Dhjetor 2021

Presidentja Osmani vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale

Prishtinë, 18 tetor - Presidentja, Vjosa Osmani, priti në takim një delegacion të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të BE-së. Delegacioni i kryesuar nga eurodeputeti Lukas Mandle dhe eurodeputetja Viola von Cramon, përbehej edhe nga Róża Thun Und Hohenstein (EPP), Ms Michèle Rivasi (Greens/EFA), Thijs Reuten (S&D), si dhe një numër ekspertësh të BE-së.

Presidentja Osmani vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale duke konfirmuar standardin e ndërtuar nga Republika e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Tutje, ajo nënvizoi se sipas informatave që vijnë nga institucionet tona, gara në komunat e banuara me serbë ishte e ndikuar nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë, të cilat e kanë cenuar garën në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve.

Duke i falënderuar për prezencën e tyre dhe gatishmërinë për t’i qëndruar Kosovës pranë në çdo hap të konsolidimit të demokracisë në vend, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përgjigjen pozitive të pranuar nga Parlamenti Evropian dhe vlerësoi lartë prezencën e këtij delegacioni në vëzhgim të zgjedhjeve.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, delegacioni e vlerësoi procesin e zgjedhjeve si një proces demokratik, i karakterizuar me një profesionalizëm dhe integritet të lartë të institucioneve por edhe të vet qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në takim, Presidentja Osmani diskutoi edhe për punën e institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, procesin e liberalizimit të vizave, nevojën për fuqizimin e mëtejmë të grave dhe rinisë, si dhe tema të tjera.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 dhjetor 2021

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Ambasada Franceze, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Espace Campus France, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin AAB organizojnë hapjen e Panairit Universitar Francez në Kosovë i cili do tu mundësoj studentëve kosovarë të zbulojnë programet akademike të ofruara nga 30 universitete dhe 16 webinare nga Franca. (Universitetin AAB, ora 10:00)

- Ministri i  MMPHI Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të përformancës "Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)  

- VentureUP në partneritet me Sustainability Leadership Kosova dhe financuar nga UNDP organizon ditën e garës finale e eko-startup-eve të Programit Green Hub. (Amfiteatri i objektit të Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, ora 10:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrtimin raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 12:00)

- Të rinjte e iniciatives “Hajde në shkollë” organizojnë forum teatrin që ka për qëllim vetëdijësimin dhe parandalimin e braktisjes së shkollimit në mesin e të rinjve në komunën e Klinës. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 14:00)

- Kosovo 2.0 dhe Fondacioni 17  organizojnë diskutimin lidhur me mobilizimin e komunitetit për ruajtjen dhe rikthimin e hapësirave të përbashkëta publike, me fokus në historinë e tri kinemave që i shpëtuan privatizimit. (Kino Armata, ora 17:00)

- OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” organizojnë diskutimin "Le të flasim" i cili synon të sjellë vëmendjen dhe ndërgjegjësimin tek audienca në lidhje me diskriminimin racor, martesat e hershme, gjuhën e urrejtjes në institucionet publike dhe rrugën e edukimit mbi dy dekada. (Kino Armata, ora 19:00)