24 Tetor 2021

Presidentja Osmani takoi presidentin e Kostarikës, Carlos Alvarado Quesada

Prishtinë, 21 shtator  - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve me liderë botërorë, në margjina të sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA) në New York, ka takuar presidentin e Kostarikës, Carlos Alvarado Quesada, të cilin e ka falënderuar që shteti i tij ishte ndër të parët që e njohu pavarësinë e Kosovës. Ajo ka kërkuar përkrahje nga homologu Quesada që të lobojë te shtetet fqinje të Kostarikës për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se pret mbështetjen e këtij shteti edhe në përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se në dialog me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se epilogu i tij duhet të jetë njohja e ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe konform rendit juridik të Kosovës.

Në këtë takim, Presidentja Osmani është ndalur edhe të mundësitë e bashkëpunimit ndërshtetëror me Kostarikën dhe ka theksuar se të dy vendet duhet t`i promovojnë mundësitë e tregtisë dhe investimeve.

Presidenti i Kostarikës, ndërkaq, shprehu admirimin e tij për përparimin e shpejtë të Kosovës dhe nënvizoi gatishmërinë e tij për të lobuar gjithandej për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit shtetëror të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)