01 Gusht 2021

Presidentit Pacolli sot në vizitë zyrtare në Shqipëri

Prishtinë, 21 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli do të qëndrojë sot dhe nesër në vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, me ftesë të Presidentit Bamir Topi.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Pacolli do të shoqërohet nga disa ministra në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe nga përfaqësues të biznesit.

Presidenti Pacolli do të pritet në takime zyrtare nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si dhe zyrtarë të tjera të lartë të shtetit shqiptar e përfaqësues të spektrit politik.

Gjithashtu, Presidenti Pacolli do t’i drejtohet me një fjalë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, do të vizitojë Universitetin Evropian të Tiranës, ku atij do t’i ndahet titulli i nderit “Doctor Honoris Causa”, do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Kosovë-Shqipëri dhe një varg aktivitetesh të tjera.

Ndërsa në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri presidenti kosovar Pacolli do të takohet edhe me kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe me kreu e LSI-së Ilir Meta.

Gjithashtu Pacolli do të vendosë edhe kurorë me lule për nder të të rënëve në Monumentin "Nënë Shqipëri" ndërsa më vonë ai do të niset drejt qytetit të Krujës ku do të vizitojë Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Etnografik dhe Pazarin e Vjetër.

Pacolli gjithashtu do të vizitojë edhe qytetin e Lezhës ku do të vendosë kurorë me lule në varrin e heroit tonë kombëtar Skënderbeut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Gusht 2021

- Nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden më ç'rast me një fjalë rasti do t’iu drejtohet Presidentja Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett. (Oborri në hyrje të objektit të Kuvendit ora 18:30 - Mediat duhet të jenë të pranishme në Presidencë, ora 17:45)