25 Prill 2024

Presidenti Sejdiu priti, Alfred Moisiu

Prishtinë, 1 qershor - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti sot ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, të cilin e falënderoi për mbështetjen që ai ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke e vlerësuar ndihmesën e shtetit shqiptar dhe personalisht të ish-Presidenti Moisiu për çështjen e Kosovës, Presidenti Sejdiu theksoi se populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës do ta kujtojnë gjithmonë me nderimin më të lartë përkrahjen që ka dhënë Shqipëria dhe udhëheqësit e saj për popullin e Kosovës dhe aspiratave të tij për liri, demokraci dhe pavarësi.

“Republika e Shqipërisë ka qenë mbështetëse e natyrshme e përpjekjeve tona për çlirimin dhe për zhvillimin e vendit dhe ne na gëzon fakti se kjo mbështetje nuk na ka munguar asnjëherë, as nga pozita, as nga opozita, pavarësisht kush e ka qeverisur Shqipërinë”, tha Presidenti Sejdiu, duke e çmuar kontributin personal të Moisiu për arritjet e Shqipërisë në forcimin e demokracisë së brendshme, si dhe në procesin e madh të integrimit euroatlantik.

Ndërsa, ish-Presidenti Moisiu e vlerësoi progresin e përgjithshëm që është bërë në Republikën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së saj.

“Pavarësia e Kosovës po dëshmohet si një faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon”, tha Moisiu. Sipas tij, e ardhmja e vendeve tona, pa dyshim, është në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare.

Në këtë takim shumë të përzemërt, gjithashtu, u bisedua edhe për dukuritë e ndryshme me të cilat po ballafaqohen të dy vendet tona, siç janë papunësia, korrupsioni, vështirësitë e zbatimit të plotë të ligjit etj.

Por, të dy bashkëbiseduesit theksuan se me gjithë vështirësitë, edhe Shqipëria, edhe Kosova janë në rrugë të mirë për arritjen e standardeve evroperëndimore edhe në këto fusha. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)