25 Prill 2024

Presidenti Sejdiu po vazhdon vizitën zyrtare në Malajzi

Kuala Lumpur, 20 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu po vazhdon vizitën e tij zyrtare në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur.

 

Pas takimeve bilaterale shumë përmbajtjesore dhe të frytshme që ai ka pasur me Kryeministrin e Malajzisë, Dato’ Sri Mohd Najib Tun Abdul Razak, me Sulltanin e Brunejit, Hassanal Bolikah dhe me Presidentin e Maldiveve, Mohamed Nashed, Presidenti Sejdiu ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh që janë organizuar këtu për nder të liderëve pjesëmarrës në Forumin e gjashtë Ekonomik Islamik Botëror.

Mbrëmë, Kryeministri i Malajzisë, Dato’ Sri Mohd Najib Tun Abdul Razak shtroi darkë solemne për presidentët, kryeministrat dhe udhëheqësit e tjerë që po marrin pjesë në punimet e këtij forumi.

Ndërkohë, në margjinat e WIEF-it, Presidenti Sejdiu ka pasur biseda të rëndësishme me Presidentin e Indonezisë, Susilo Bambang Yudhoyono, me Presidentin e Senegalit, Abdullaye Wade, me Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina etj.

Presidenti Sejdiu e ka falënderuar Presidentin e Senegalit, Abdullaye Wade për njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe për politikën afirmuese për Kosovën që ka ky vend në kontinentin e Afrikës. Ndërsa, liderëve të tjerë Presidenti Sejdiu ua ka përsëritur kërkesën për njohje.

“Republika e Kosovës po dëshmohet fuqishëm si një vend i paqes, i stabilitetit dhe i prosperitetit në rajon, ndaj është koha që ta merrni në konsideratë kërkesën tonë për njohjen e pavarësisë së vendit tonë”, ka qenë thirrja që u ka bërë homologëve të tij, udhëheqës të vendeve shumë të rëndësishme të Azisë Juglindore, Presidenti Sejdiu.

Do theksuar, se vizita e Presidentit Sejdiu në Malajzi është përcjellë me interesim të jashtëzakonshëm nga mediumet e këtushme. Presidenti Sejdiu ka dhënë shumë intervista për televizionet dhe gazetat e Malajzisë, shumë e të cilave kanë shtrirje ndërkombëtare. Në të gjitha prononcimet e tij, Presidenti Sejdiu ka theksuar zëshëm se Republika e Kosovës është pavarësuar nga një shtet që më nuk ekziston, nga ish-federata jugosllave, e cila është shkatërruar si pasojë e agresionit të drejtpërdrejtë të Serbisë ndaj ish-njësive të tjera të Federatës, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës.

Prandaj, ka ripërsëritur Presidenti Sejdiu, Kosova nuk është një rast secesioni, por është një vend që është pavarësuar me vullnetin politik të popullit të saj, edhe si rezultat i shpërbërjes së Jugosllavisë, pas një periudhe të rëndë dhe tepër tragjike nën sundimin e Serbisë, e cila popullin e Kosovës e rrezikoi me dëbim dhe shfarosje totale.

Presidenti Sejdiu e përfundon sonte vizitën zyrtare në Malajzi, ku është pritur me nderimet më të larta shtetërore. Nesër në orët e hershme të mëngjesit (sipas kohës lokale), ai do të niset për në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)