29 Mars 2024

Presidentët e rajonit diskutuan qarkullimin e lirë të qytetarëve

Ohër, 12 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po merr pjesë në Samitin e Ohrit, ka zhvilluar sot paradite takime të veçanta me homologët e saj.


Fillimisht ajo është takuar me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me të cilin ka diskutuar për një varg çështjesh me interes për të dyja vendet.

Presidenti Topi ka vënë theksin në nevojën e avancimit të interesave të përbashkëta të të dy vendeve.

Z.Topi tha se nismat e presidentëve duhet të pasohet me takime të tjera, me qëllim të konkretizimit të tyre. Ai gjithashtu u angazhua për zgjerimin e temave të diskutimeve mes liderëve të vendeve pjesëmarrëse në takim

Presidentja Jahjaga fillimisht vlerësoi lart kontributin e Shqipërisë për miratimin e Rezolutës për Kosovës nga Konferenca Islamike.

Ajo gjithashtu theksoi se në temat që diskutohen mes vendeve pjesëmarrëse në këtë samit duhet të kalohet nga çështjet e përgjithshme në ato konkrete. Ajo tha se duhet edhe përfshirja e qeverive për konkretizimin e nismave të samitit, si dhe u angazhua gjithashtu për sa më shumë kontakte të drejtpërdrejta

Presidentja Jahjaga edhe në këtë takim e shtroi kërkesën që Kosova të jetë pjesë e nismave rajonale dhe ndërkombëtare.


Më pas Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në të cilin fokusi kryesor u vu në çështjet e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë.

Presidentja Jahjaga theksoi se gjendja aktuale ekonomike në Kosovë kërkon një varg përmirësimesh. Ajo tha se Kosova nuk është pjesë e një marrëveshjeje kontraktuale me Bashkimin Evropian, që do të ndihmonte në shumë fusha.

Nga ana e tij, Presidenti Vujanoviq theksoi bashkëpunimin e fuqishëm dhe shumë të mirë mes të dy vendeve tona. Ai vuri theksin në bashkëpunimin ekonomik dhe në ndihmën që në këtë fushë Kosova dhe Mali i Zi mund t’i japin njëra-tjetrës. Në këtë plan ai shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar Kosovën në fushën e ekonomisë.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Vujanoviq diskutuan edhe për qarkullimin e lirë të qytetarëve, mallrave dhe ideve, duke u pajtuar për zbatimin e praktikave më të mira evropiane për menaxhimin e kufijve.

Ata gjithashtu diskutuan edhe për pozitën e pakicës malazeze në Kosovë, në ç’plan, Presidentja Jahjaga theksoi se në kuadër të zyrës së saj funksionon Këshilli Konsultativ për Komunitete, ku trajtohen dhe adresohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me komunitete.


Presidentja Jahjaga gjithashtu zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në të cilin ata u pajtuan për zhvillimin edhe më tej të marrëdhënieve bilaterale.

Jahjaga e Ivanov theksuan nevojën e lehtësimit të komunikimit mes qytetarëve të të dyja vendeve, duke theksuar nevojën e hapjes së pikave të reja të përbashkëta kufitare.

Presidenti Ivanov theksoi se nga samiti i sotëm në Ohër do të gjinden forma të bashkëpunimit konkret që do të pasohen me veprimet konkrete të qeverive.

Në takim gjithashtu u fol konkretisht për nevojën që Kosova të lidhet me portet në Adriatik me hekurudhë përmes Maqedonisë.

Gjithashtu, në takim u theksua se bashkëpunimi regjional i ndihmon vendet tona në rrugën drejt integrimeve evropiane.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)