31 Korrik 2021

OSBE do të vazhdojë të ndihmoj Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 2 mars - Në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi me shefin e OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Verner  Almhofer, u bisedua për bashkëpunimin e mëtutjeshëm në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe OSBE-së.

Në prononcimin për media, Krasniqi falënderoi ambasadorin Almhofer për ndihmën e deritashme, dhe për premtimin e tij se ndihma dhe bashkëpunimi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

”OSBE-ja ka ndihmuar shumë në demokratizimin e institucioneve të Kosovës dhe ndërtimin e raporteve të mira me shtetet e rajonit dhe të Evropës”, tha Krasniqi.

Në vijim, Krasniqi kërkoi nga ambasadori Almhofer që OSBE përmes mekanizmave që posedon, të ndihmojë në vënien e kontakteve edhe  me shtetet që se kanë njohur Kosovën.

Ndërkaq, ambasadori i OSBE-së, Verner Almhofer, duke i uruar rizgjedhjen në krye të Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja në Kosovë, e siguroi kryparlamentarin Krasniqi se bashkëpunimi dhe ndihma e OSBE-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Po ashtu, Almhofer tha se OSBE është e përkushtuar që të  ndihmojë në krijimin e mekanizmave të brendshëm të Kuvendit.

Ai me këtë rast shprehu interesim të veçantë për të drejtat e njeriut e të komuniteteve, dhe për  barazinë gjinore brenda Kuvendit.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 Korrik 2021

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane dhe Komunën e Prishtinës organizon për herë të parë Panairin e Vullnetarëve të Shëndetit Mendor. (Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Federat e Futbollit të Kosovës organizon workshop-in rreth sistemit VAR. (Kampi Edukativ Nacional në Hajvali, ora 17:00)