24 Prill 2024

Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë

Prishtinë, 10 dhjetor - Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës në pritjen e organizuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.  

Kryeministri tha se ka respektuar kërkesën e familjarëve për t’ju qasur çështjes së të zhdukurve me seriozitet të plotë, duke ushtruar ndikimin te mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë.

“Unë besoj që e keni përcjellë edhe ju që personalisht kam qenë tejet i zëshëm dhe në secilin takim publik e jo publik me akterët relevantë ndërkombëtarë e kam ngritur çështjen e personave të zhdukur me dhunë si çështje edhe me prioritet e urgjencë”, tha kryeministri.

Ai theksoi se për të si kryeministër dhe për Qeverinë e Kosovës është me shumë rëndësi që prioritetet t’i kemi të qarta.

“Megjithatë është njësoj e rëndësishme që t’i flasim zëshëm pengesat që i kemi, e jo që secila ngecje është rezultat i mos përpjekjes sonë. E them këtë vetëm për të qenë të sinqertë me njëri-tjetrin në të gjitha veprimet tona”, tha kryeministri Kurti, duke uruar që takimet si ky i sotmi të mos duhet t’i mbajmë edhe gjatë.

“Shpresojmë, sepse punojmë, që të arrijmë të bëjmë më të mirën për t’ju mbyllur plagët e hapura edhe juve, e besa edhe neve”, shtoi ai.

Puna e institucioneve të Republikës së Kosovës, sfidat dhe bashkëpunimi me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë gjatë vitit 2021, në proceset lidhur me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, u prezantuan nga z. Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Delegacionit për Bisedime për Çështjen e Personave të Zhdukur.

Gjatë vitit 2021, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prokuroria, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante, së bashku me shoqatat e familjarëve dhe partnerët ndërkombëtarë, janë angazhuar me përgjegjësi dhe përkushtim në hulumtimin, identifikimin dhe zgjidhjen e rasteve, duke insistuar njëkohësisht në dy parime themelore: dinamizimin dhe humanizimin e procesit, tha z. Hoti.

Gjatë këtij viti, është trajtuar me prioritet lokacioni i varrezës masive në Kizhevak të Serbisë. Gërmimet e filluara atje që në vitin 2015, pesë vjet më vonë kishin konfirmuar ekzistimin e varrezës masive me gjetjen e disa mbetjeve mortore në nëntor 2020.

Gërmimet, që kanë përfunduar më 26 maj 2021, kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore të 9 viktimave të luftës: shtatë identifikime të reja dhe dy raste ribashkimi me eshtrat e viktimave të zhvarrosura në lokacionin e Rudnicës, një varrezë tjetër masive në rajonin e Rashkës.

Pas identifikimit përmes analizës së ADN-së është konfirmuar se mbetjet mortore iu përkasin viktimave të masakrës së Rezallës të kryer më 5 prill 1999. Riatdhesimi i viktimave në Kosovë është bërë më 30 shtator, ndërsa u janë dorëzuar familjeve për rivarrim më 9 tetor.

Përtej vështirësive dhe pengesave nga zvarritja e gërmimeve, gjetja e mbetjeve të dy personave në lokacione të ndryshme, dëshmon po ashtu qasjen dhe tendencën e Serbisë për të fshehur dhe për t’i zhdukur gjurmët e krimit.

Ndërkaq, në territorin e Republikës së Kosovës gjatë këtij viti janë kryer gërmimet në 9 lokacione të ndryshme: varrezat në lagjen Brekoc të Gjakovës; varrezat në lagjen Arbanë të Prizrenit; varrezat e besimtarëve muslimanë në veri të Mitrovicës; varrezat e Qytetit në Shtime; varrezat në fshatin Petrovë të Shtimes; varrezat në fshatin Marinë të Skenderajt; një lokacion në fshatin Strellc të Deçanit; një lokacion në fshatin Planej të Prizrenit, si dhe lokacioni në fshatrat Dreth e Kalludër të Zubin Potokut, në dy prej të cilave janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të dy personave, një në Brekoc dhe një në Arbanë.

Sa i përket hulumtimit të lokacioneve të dyshuara në Kosovë, gatishmëria e institucioneve vazhdon të sfidohet në masë të madhe prej informatave jo të besueshme nga Serbia. Megjithatë, tashmë janë lëshuar edhe 5 urdhëresa nga gjykata për gërmime në lokacione të ndryshme, lidhur me të cilat jemi në fazën e koordinimit për fillimin e punimeve.

Bazuar në procedurat ligjore dhe në respektim të kërkesave e traditave familjare, gjatë këtij viti u janë dorëzuar familjeve për rivarrim mbetjet mortore të 25 personave, prej të cilave 21 raste të reja, 4 raste ribashkimi dhe 1 rast asistence, duke përfshirë 5 nga komuniteti serb.

Me kërkesë të familjes dhe në prani të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur të Serbisë njëri prej tyre është rivarrosur në Pejë, ndërsa 3 të tjerë i janë dorëzuar Komisionit të Serbisë në Merdar më 24 shtator.

Ndërkaq, ceremonitë e rivarrimit janë organizuar me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Departamentit të Mjekësisë Ligjore, zyrtarëve komunalë dhe shoqatave të familjarëve të këtyre personave.

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, së bashku me Ambasadën e Zvicrës u lansua edhe fushata mediale për promovimin e linjës telefonike 038 8000 1600, për familjarët e personave të zhdukur, e cila do ta ndihmojë procesin përmes informatave nga qytetarët dhe ndërveprimit të vazhdueshëm me familjarët. Linja është pa pagesë dhe të gjitha komunikimet do të jenë plotësisht konfidenciale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)