18 Prill 2024

Ngjarjet politike zbehin raportimin e medieve për korrupsionin

Prishtinë, 7 gusht - Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar raportin mujor nga Monitorimi i shtypit ditor rreth raportimit për korrupsionin në nëntë gazeta ditore, për periudhën korrik 2011.

Në bazë të këtij raporti, gjatë muajit korrik janë evidentuar gjithsej 48 artikuj nga nëntë gazeta ditore, apo 49 më pak se në muajin qershor.

Në këtë raport përfshihen edhe shkrimet mbi aksionet konkrete për luftimin e korrupsionit, si arrestimet, dënimet, etj.

Për dallim nga muajt paraprak, në korrik është vërejtur një ulje drastike e numrit të artikujve që mediat paraqesin për korrupsionin.

Ky rezultat ka ndodhur kryesisht si pasojë e zhvillimeve të mëdha politike në vend, duke marrë kështu primatin e trajtimit të temave.

Po ashtu, është evidentuar edhe mungesa e aksioneve ndëshkuese të organeve të drejtësisë kundrejt keqpërdoruesve të pushtetit dhe parasë publike.

Nga 48 artikujt për korrupsionin, gati gjysma (19) flasin për raporte të Auditorit të Përgjithshëm. Dy raste flasin për aktakuza, një rast për fillimin e një hetimi, ndërsa të tjera për informata që kanë plasuar vetë mediat bazuar në hulumtimet e tyre. Shqetësuese vlerësohet mosangazhimi i gjyqësisë dhe policisë, megjithëse muajve të kaluar ka pasur mjaft raste të paraqitura për korrupsion.

Edhe gjatë muajit korrik, Qeveria e Kosovës, përfshirë dikasteret (ministritë), por edhe Kryeministrinë, renditet me më së shumti artikuj për dyshime për korrupsion. Por këtu vlen të përmendet një fakt që shumica e artikujve burojnë nga raportet e Auditorit të Përgjithshëm për të cilat kanë raportuar mediat e shtypura.

Për Qeverinë dhe dyshimet brenda resorëve të saj janë botuar gjithsej 18 artikuj në nëntë gazeta. Këtu përfshihen: Kryeministria me një rast, Ministria e Shëndetësisë sërish prin, tani me tre raste, Ministria e Bujqësisë me dy raste, ajo e Tregtisë dhe Industrisë po ashtu me dy raste, sa ka edhe Ministria e Pushtetit Lokal.

Me nja një rast janë paraqitur edhe MKK, MASHT, MPJ, MEF, ekzekutivi në tërësi, MKRS, MPMS, kryeministria dhe MPH.  Në vendin e dytë, sërish janë renditur komunat dhe në disa raste edhe disa kryetarë komunash.

BQK dhe PTK zënë vendin e tretë me 4 artikuj të botuar në gazetat ditore, nga dy për secilën. Me nga 1 rast të raportuar janë paraqitur deputeti Shaip Muja, QKUK, Avokatët, KQZ, AKP, Partitë politike, “Termokosi”, “Pastrimi” dhe Kuvendi i Kosovës.

Sa i përket gazetave me më shumë artikuj për korrupsionin, Zëri gjatë muajit korrik ka publikuar  13 artikuj, Koha Ditore 12, Kosova Sot 6, Express 5, Tribuna Shqiptare 4, Lajm 4, Infopress 3, Bota Sot 1 dhe Epoka e Re me asnjë shkrim.

Për dallim nga muajt e kaluar, është evidentuar një fakt mjaft shqetësues, sa i përket rasteve të arrestimeve, ngritjes së aktakuzave, si dhe gjykimeve për korrupsion. Gjatë kësaj periudhe kanë munguar edhe aksionet konkrete të autoriteteve përgjegjëse. Janë raportuar vetëm dy raste të ngritjes së aktakuzave ndaj disa zyrtarëve komunalë në Prizren, si dhe tre avokatëve nga Prishtina.

KDI me këtë rast ka bërë edhe disa rekomandime: Fokusimi i medieve në raportimin më të madh të dukurive korruptive; Nxitja e prokurorisë për t’i hetuar rastet e paraqitura në media; Reagimi/reflektimi institucional; Marrja parasysh e raporteve të auditimit.

Në raport po ashtu është evidentuar edhe prioriteti që mediat i japin artikujve për korrupsionin dhe të dhëna të tjera.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)