26 Prill 2024

Në gusht mbahen dy mbledhje plenare të Kuvendit

Prishtinë, 10 gusht - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga  nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka përcaktuar rendin e ditës për dy seancat e radhës së Kuvendit të Kosovës që do të mbahen në fund të muajit gusht.

Në seancën e 23 gushtit, pas shterimit të dy pikave të rëndomta të seancave të rregullta të Kuvendit: deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe pyetje parlamentare, për punën e Qeverisë së Kosovës, do të  shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për tregti me jashtë, Projektligji për marrëveshjet ndërkombëtare dhe Projektligji për Akademinë e Kosovës për siguri publike.

Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet dhe miratohet  Raporti i parë i progresit për Planin e Veprimit të Kuvendit të  Kosovës për Integrim Evropian, për vitin 2011.

Do të shqyrtohen, ndërkaq,  edhe  Raporti i auditimit të pasqyrave financiare të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “ Hidrodrini” për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2010, si dhe  Raporti i auditimit të pasqyrave vjetore  financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit, për vitin 2010.

Seancën e 29 gushtit Kryesia e ka paraparë për shqyrtimin e 13 projektligjeve  që lidhen me Raportin e Progresit të Kosovës. Kryesia ka kërkuar nga komisionet parlamentare që t’i shqyrtojnë me urgjencë këto projektligje, në mënyrë që ato të miratohen deri më 1 shtator, siç e ka marrë për obligim Kuvendi.

Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe një varg propozimesh, rekomandimesh dhe kërkesash. Kësisoj  Propozim-Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Biodiversitetin, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, për të përgatitur raportin me rekomandime, para se çështja të radhitet për miratim në seancë plenare.

Kryesia e ka mirëpritur ftesën e  kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për vizitë zyrtare të një delegacionit pesë anëtarësh të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, për të marrë pjesë në Konferencën e Kartës së Adriatikut që mbahet në Tiranë  më 24-25 tetor 2011.

Nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë njoftimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me vizitën zyrtare të realizuar në Bruksel, atë të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me vizitën zyrtare të realizuar në  Gjermani, si dhe njoftimet e Grupit Parlamentar të Koalicionit Kosova e Re se deputeti, Muhamet Mustafa, është tërhequr nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, dhe se deputeti i këtij koalicioni, Amir Ahmeti, është emëruar anëtar në Komisionin për Legjislacion, në vend të ish-deputetit Ibrahim Makolli.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)