24 Prill 2024

Mungesa e katër ligjeve themelore sjell problem për drejtesinë

Prishtinë, 8 gusht - Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) dhe Instituti Kosovar për Drejtësi (KLI), sot, organizuan tryezë diskutimi, ku u prezentua raporti me titull “Procesi i ri-emërimit, pavarësia dhe ndikimet”.

Ky raport është pjesë e projektit “Forcimi i mbikëqyrjes civile në sundimin e ligjit”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), implementuar nga FIQ në partneritet me KLI dhe ka synuar të hulumtojë dhe analizojë problemet që e kanë përshkuar procesin e riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve për t’i ngritur ato si çështje që duhet trajtuar nga institucionet përgjegjëse.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin zyrtarë nga institucionet gjegjëse të Kosovës, gjyqtarë, prokurorë, aktivistë të shoqërisë civile dhe mediat.

Fjalë rasti dhe vështrime pati nga z. Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Besim Kelmendi, Prokuroria Speciale e Kosovës.

Të gjeturat kryesore të këtij raporti, që u konfirmuan edhe nga vet drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, janë: mungesa e katër ligjeve themelore siç janë: Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligji për Prokurorinë e Shtetit, Ligji për Gjykatat dhe Ligji për Prokuroritë.

E gjetur tjetër e raportit është: testi i etikës me karakter eliminues, që kishte demotivuar gjykatësit dhe prokurorët që kishin dështuar, të cilëve u ishte lejuar të vazhdonin punën deri në përfundim të procesit, pastaj Presidenti i Republikës së Kosovës ka bërë ndërhyrje politike në procesin e ri-emërimit dhe emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve.

Rekomandimet që dalin nga ky raport kanë të bëjnë kryesisht me eliminimin e ndikimeve politike, hartimi i një ligj të veçantë, i cili e rregullon fushën e përvojës së punës juridike dhe edukimit të vazhdueshëm në fushën e drejtësisë; KGJK të hartoj rregullore të veçanta për kriteret e emërimit të gjykatësve për secilin nivel të gjykatave; KGJK dhe KPK të krijojnë mekanizma të veçanta për zhvillimin e një procesi të pavarur dhe profesional për riemërimin e stafit mbështetës të gjykatave.

Në diskutimet nga të pranishmit për problemet që e kanë përshkuar procesin e emërimit dhe ri-emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, u tha se këto problem konsistojnë në: keqadministrimin dhe mospërshtatjen e metodës së testimit të kandidatëve, marrë parasysh se një numër i konsiderueshëm i gjykatësve dhe prokurorëve kishin rënë nga testi i etikës.

Përveç kësaj, procesin e kishte përshkuar edhe një problem tjetër, që është mungesa e një mekanizmi mbikëqyrës për të kontrolluar punën dhe cilësinë e punës së gjykatësve dhe prokurorëve, çka ka rezultuar me mosdhënje llogarie për papërgjegjësi.

Këto dhe probleme tjera të nxjerra nga raporti dhe të diskutuara në tryezë, u ngritën si çështje që duhen trajtuar nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që në të ardhmen të evitohen problemet e kësaj natyre.

Enver Peci, nga KGJK, ndër të tjera shtoi se “Në të kaluarën ka pasur probleme të mëdha, por jemi në rrugë të mirë dhe për një gjyqësor të pastër, ka nevojë të shikohet edhe stafi administrativ”.

Ndërkaq, Besim Kelmendi, nga PSK, vlerësoi raportin si real dhe të dobishëm, në ndërkohë që ajo që e shqetësonte më shumë ishin kriteret e emërimit dhe ri-emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me theks të veçantë, kriteri i përvojës së punës, që në konkurs ishte kërkuar të jetë 12 vite përvojë.

“S’kanë mundësi t’i kenë 12 vite përvojë pune, duke pasë parasysh se deri në vitin 1999, nuk ka pasur  gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë, e nga viti 1999 e deri në emërim dhe ri-emërim e fundit, nuk kanë mund t’i kenë 12 vite përvojë” – u shpreh Kelmendi.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)