26 Prill 2024

Mohimi i gjenocidit përpiqet të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autorët

Shtime, 15 janar - Të mohosh krimet gjenocidale që i ka faktuar  dhe dënuar një botë e tërë dhe të përsëritësh vazhdimisht si kërcënim mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës martire, do të thotë të qëllosh edhe të rënët e pavdekshëm edhe të gjallët e mbijetuar, do të thotë të shënjestrosh edhe ëndrrat dhe idealet e brezave të ri që vijnë, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë përkujtimore për 45 viktimat e Masakrës së Reçakut, të cilët u vranë dhe u masakruan sot e 23 vjet më parë.

Kryeministri Kurti tha se mohimi i gjenocidit përpiqet të riformësojë historinë në mënyrë që të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autorët. Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit. Është ajo që Elie Wiesel e ka quajtur një "vrasje e dyfishtë", tha ai.

Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun, tha kryeministri, njësoj qysh nuk mund të shkruhet pa Prekazin, Mejën, Krushën e Madhe e  Krushën e Vogël, Dubravën, Poklekun, Rezallën, Izbicën, Gjakovën, Qyshkun, Lybeniqin, Pastaselin, Arbrinë e Epërme, Qirezin e Likoshanin e shumë vende të tjera të Kosovës që ishin viktima të mbi 400 masakrave gjatë luftës së fundit të viteve ’98 e ‘99, dëshmi këto të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

“Unë, sa herë që vij në Reçak, ndjej përulje ndaj fshatarëve të Reçakut. Atë që e ka dokumentuar Human Rights Watch, KMDLNj, Fondi për të Drejtën Humanitare, është më së miri e rrëfyer në dhimbjen dhe traumën e fshatarëve të Reçakut dhe familjarëve të viktimave. Kjo histori nuk mund të harrohet dhe as të rishkruhet”, tha kryeministri Kurti.

Në këtë ceremoni përkujtimore të organizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, fjalën mbajtën edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemail Aliu, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Nazif Shabani, i biri i Ramë Shabanit, i mbijetuar i Masakrës së Reçakut.

Ndërsa ambasadori amerikan William Walker, i cili në janar të vitit 1999 udhëheqte misionin e vëzhguesve të OSBE-së dhe ia kishte zbuluar dhe identifikuar bashkësisë ndërkombëtare krimin e forcave policore serbe në Reçak, iu drejtua të pranishmëve në ceremoninë përkujtimore nëpërmjet një video mesazhi, në pamundësi për të qenë fizikisht prezent shkaku i pandemisë.

Në fund të ceremonisë ansambli i tunxhit të Filharmonisë së Kosovës interpretoi tri vepra muzikore në nderim të viktimave dhe dëshmorëve të Reçakut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)