23 Prill 2024

Mitrovica përgatit projektin për “Lagjen e UÇK-së”

Mitrovicë, 22 shtator - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka zhvilluar të mërkurën një takim me kryetarin e Shoqatës së Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jasharin dhe kryetaren e degës së kësaj shoqate në Mitrovicë, Alie Tmavën, me të cilët ka biseduar për gjendjen e kësaj kategorie në këtë komunë dhe hapat që janë ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes.

Kryetari Kastrati ka thënë se komuna në kuadër të mundësive që ka është duke bërë hapa konkretë për përmirësimin e pozitës së kategorive të dala nga lufta. Fillimisht ai përmendi angazhimin  për zgjidhjen e problemit të hapësirës për këto shoqata, të cilat për shumë vjet me radhë janë ballafaquar me probleme të tilla.

Tha se bashkërisht me drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta do të përzgjedhin hapësirat më të përshtatshme për zyre që atyre ju nevojiten.

Në anën tjetër, ai tha se tashmë komuna ka përgatitur edhe projektin për “Lagjen e UÇK-së” në Shupkovc ku parashihet të ndahen rreth 400 troje për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së. “Do të jetë një lagje e mrekullueshme. Ne si komunë do të marrin përsipër rregullimin e gjithë infrastrukturës së nevojshme, si rrugët, kanalizimin, ujësjellësin etj”.

Në këtë kontekst, ai sqaroi se komuna do t’ua bartë të gjitha përgjegjësitë për përzgjedhjen e përfituesve vetë drejtuesve dhe përfaqësuesve të këtyre shoqatave. “Këtë projektpropozim do ta fusim edhe në Kuvendin e Komunës për miratim”, tha ai, duke shtuar se ky projekt do të realizohet me qëllimin më të mirë për t’ju dalur në ndihmë këtyre kategorive sado pak, duke marrë parasysh gjendjen e tyre aspak të mirë ekonomike dhe sociale.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së  Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, falënderoi kryetarin Kastrati për qasjen shumë praktike dhe hapat konkretë që ka ndërmarrë komuna në raport me kategoritë e dala nga lufta. “Viteve të fundit në Mitrovicë jemi duke parë hapa konkretë në drejtim të përmirësimit të trajtimit që u bëhet kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së dhe kjo është për t’u përshëndetur”.

Ai tha se edhe në disa komuna të tjera të Kosovës janë bërë dhe po bëhen lëvizje pozitive në këtë drejtim. Ai përmendi në këtë rast komunën e Lipjanit, mandej Drenasit, Malishevës, Skenderajt etj. Megjithatë ai tha se duhet ende përpjekje që këto kategori të trajtohen ashtu siç u ka hije, meqë ende ka shumë familje të dëshmorëve, mandej edhe invalidë e veteranë që kanë probleme sociale, mandej probleme shëndetësore, probleme me strehim etj.

Jashari theksoi se Ligji për këto kategori që pritet të hyj në fuqi prej fillimit të vitit të ardhshëm do të zgjidh shumë nga këto problemet me të cilat janë preokupuar këto shtresa që dhjetë vjet me radhë. Ndërsa sa i përket fryrjes së listave të Familjeve të Dëshmorëve dhe kategorive të tjera, ai sqaroi se tashmë është formuar një komision që do të merret me problemin e listave.

Angazhimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës për përmirësimin e pozitës së kategorive të dala nga lufta e ka përshëndetur edhe Alie Tmava, kryetare e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Mitrovicë. Ajo tha se janë duke u bërë hapa të mirë në këtë drejtim, meqë deri vonë nuk është lëvizur fare. Ajo theksoi se ka shumë familje të këtyre kategorive në Mitrovicë që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e strehimit, mandej ekzistencës etj.        

Ndërsa sa i përket problemit që kanë pasur me zyre, ajo potencoi se në mungesë të një vendi adekuat dhe që ofron kushte minimale për punë, zyret e tyre, që ende janë në një ndërtesë të vjetër dhe pa sigurim janë thyer dhjetëra herë. “Ka dhjetëra herë që janë thyer zyret tona, ku janë marrë kompjuterët dhe pajisjet tjera që kanë gjetur aty, të cilat  kanë shërbyer për punën në këto shoqata”. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)